Bëhu vetëm një herë trim!

Nga Mehmet Elezi

I ngjan Enverit: projekt i huaj, jo projekt shqiptar. Njësoj si ai, u katapultove nga kabaretë e Parisit në piramidën shtetërore të Tiranës. Si garanci për sponsorët, ke lënë në hipotekë përkushtimin e plotë ndaj një strategjie të zezë, raciste, që shkon më larg se mpiksja jote në pushtet. Dy shtyllat e kësaj strategjie janë:

– Zhbërja e Shqipërisë.

– Zhbimja e shqiptarëve.

Pak pas zgjedhjeve të 1997-ës, “të pranueshme për momentin”,  sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, një shqiptar i Kosovës me punë në Tiranë, shkroi te gazeta “Koha jonë” çka i kish kapur veshi te një kabinë telefonike. Një gjatosh i ri, me xhup të zi e me kokë rrumbullake, fliste me dikë në Beograd. Ç’t’i bësh se është Kosova në mes, kishte thënë qenia e gjatë, se do t’i kishim bërë një Tiranën me Beogradin! Autori i atij shkrimi sot jeton në Prishtinë, është emër i njohur i letrave. Nuk e di kush ka qenë njeriu i kabinës telefonike, por asokohe shumë lexues e identifikuan me ty. Fatos Nano sapo të kish sjellë nga Parisi “me thonj të paprerë” dhe para shqiptarëve po përvijoheshe si tip tjetër politikani. Për dikë – maverick; për shumëkënd – me çrregullime thelbësore të personalitetit, me probleme të shëndetit mendor.

Në kulmin e fuqisë së kovidit solle disa vaksina në rrugë misterioze, “me trastë”, u tha, jo me marrëveshje ndërshtetërore. Dhe deklarove se të parët do të vaksinohen “personalitetet”. “Personalitetet” do t’i zgjidhje ti. Ti do të vendosje kush do të shpëtohet e kush do të vdesë. More hijen e Zotit.

Në Shqipëri nuk ishim përballur kurrë me një racizëm kaq të hapur shtetëror. Pa folur për betimin e Hipokratit, dy mijë vjet përpara, edhe në diktaturë formalisht vaksinoheshin të gjithë. Në të drejtën dokesore shqiptare, gjaku është i barabartë, gjaku i princit e gjaku i shërbëtorit vlejnë njësoj.

Dhe kush ishin personalitetet, që nuk mund të thuhet se e nderuan veten, duke parakaluar para kamerave drejt bluzave të bardha me shiringë në dorë? Disa emra kryesisht nga bota e kulturës, veteranë. Nuk ishin përzgjedhur për shkak të vlerave, ishin përzgjedhur për shërbimet ndaj teje. Spektakli mbaroi, ekranet u mbyllën për shumicën e jetëve të humbura nga kovidi, të cilat sipas dëshmive të mëvonshme janë shumë më tepër se shifrat që ke dhënë ti. Tanket në sheshin Skënderbej i qite si alibi për këto vdekje.

Racizmi yt do të dëshmohej hapur sërish e sërish me diskriminimin e Veriut në investime e në poste publike, në përqeshjen ndaj idiomës gjuhësore, në urrejtjen ndaj Kosovës. Racizëm, si zgjedhje e ftohtë, në shërbim të pushtetit tënd. Ti mbërthehesh pas pushtetit si athinasi për të cilin flet Noli (sipas Herdodit): u kap pas një anijeje me dorën e majtë, ia prenë, u kap me të djathtën, ia prenë, u kap me dhëmbë. Vetëm kur ia prenë kokën, e lëshoi.

Dhe frytet e zhbërjes së Shqipërisë spikatin. Po ia shkatërron asetet që i ka prej mija vjetësh. Detin ia fale fqinjit jugor. Portin e lashtë strategjik të Durrësit, po e shndërron në tralala turistike dhe po e zëvendëson me një port “lodër” katër herë më të vogël. Tokën po ia grabit me investitorët strategjikë e me lloj-lloj mafiozësh. Nuk le gur pa luajtur për ta ndarë Kosovën, për t’i dhënë Serbisë në tepsi copa atdheu, sikur të ishin llokma byreku. Pasuritë po ia rjep me kriminelë e me narkotrafikantë, që më shumë të kanë nën sqetull se sa i ke. Ke privatizuar edhe buxhetin e shtetit, miliardat e taksave tona në bisht të sorrës. Çfarë investimi mbahet mend në katër mandatet e tua në krye të qeverisë? Kulturën po e than në rrënjë:  shembe teatrin, rrënove kinematë, mbylle muzetë, shkollën e bëre të paqenë. Gjuha shqipe në kryqëzimin e ernave të globalizmit, nën çadrën e enverizmit gjuhësor të 1972-shit. Duke mos e pranuar Akademinë e Kosovës si të barabartë në hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, po i shërben një synimi të kaditshëm të Beogradit:  çarjes së gjuhës shqipe në “dy gjuhë shqipe”. Se ku çon kjo, dihet.

Dhe familjes, historikisht qelizë e shenjtë e shqiptarëve dhe qelizë bazë e çdo shoqërie, i fute një virus rrënimtar në palcë.

Spikatin edhe frytet e zhbimjes së shqiptarëve. Ka pastrim etnik si Hitleri, si Stalini, si Milosheviçi dhe si i çamëve, me dhunë të drejtpërdrejtë; ka edhe si Vuçiçi në Luginë të Preshevës, pa u ndier; ka edhe shpopullim, si ky që bën ti. Ata që kanë mbetur po i vret çdo ditë. Në daç me metoda makabre si Ardit Gjoklajn. Në daç me varfëri e duke e shndërruar sistemin shëndetësor dhe krejt sistemin në pavionin e kancerozëve të Sollxhenjicinit. Në daç me gaz të helmuar e me gjakosje, siç po bën me lulen e rinisë shkollore, që kërkon dorëheqjen tënde.

Shqiptarëve po ua than djepet, po ua njom varret. Lindjet – si para njëqind vjetësh dhe në rënie të lirë. Rreth 700 mijë pensionistëve po ua përshpejton vdekjen.

– Pensionet, më të voglat në Europë.

– Kontrolli “si je” ose check-up mbi 70 vjeç, mollë e ndalueme. Paçka se mosha e tretë ka nevojë më shumë se gjithkush për përkujdesje shëndetësore; paçka se kjo moshë është e vetmuar dhe i ka të ardhurat më të ulëta; paçka se i ka paguar sigurimet shoqërore një jetë të tërë, kokërr në kokërr. Ua cakton kufirin e jetës, para se t’ua caktojë Zoti. Si kuajt e plakur, që i braktisin në pyll: hallisuni vetë, këtu ka më shumë bar se ujq!

Dhe vijojnë sjelljet cinike me ta:

– Çdo mars e çdo shtator, zvarrë-zvarrë, me karroca të gjymtuarish, me paterica, me kokrrat e tensionit e të zemrës në xhep, me kateter (ata me prostatë të rënduar), duke u dridhur së ftohti a duke iu marrë fryma në vapë, pensionistët e Shqipërisë duhet të shkojnë detyrimisht në bankë për “deklaratën e gjallesës”, për të treguar se janë gjallë. Përndryshe nuk u jepet pensioni. Pat qenë edhe në Kosovë një rregull i ngjashëm, e fshiu gjykata.

– Çdo muaj duhet të zënë radhë për të përtërirë abonenë e autobuzëve qytetës: abonetë me afat mbi një muaj janë të rrezikshme!

– Për ta mbyllur me një tallje të hollë, ku cinizmi fshihet dinakërisht.  Çdo të moshuari që i mbaron afati i letërnjoftimit (ID), i jepet letërnjoftim i vlefshëm për… 50 vjet!

Ti i urren shqiptarët, e urren popullin. Thellë-thellë, më parë e urren veten. Kjo urrejtje vjen nga nënvetëdija. E ndien se qenia jote është tepër e varfër në vlera njerëzore, se je i parealizuar si njeri. Psikoanaliza ve në dukje se një vetëvlerësim i brishtë, një zili, një ndjenjë inferioriteti, një pjesë e mohuar e vetes, shpesh mbrohen përmes përçmimit dhe agresionit ndaj të tjerëve. Sa më e padurueshme të jetë për dikë ndjenja “jam i pavlerë”, aq më e fortë mund të bëhet nevoja për të gjetur dikë tjetër që është “i pavlerë”. Në këtë mënyrë, përçmimi e shkatërrimi i tjetrit mund të funksionojë si qetësues i komplekseve dhe dështimeve vetiake. Dhe pastaj kompensimi me delirin e madhështisë e narcisizëm.

Ti i urren shqiptarët, e urren popullin. Sepse ia ke frikën. Ia ke me hile popullit dhe e ndien se ai e kupton hilen tënde. Dhe i tutesh, i tutesh.

I ngjan prapë Enverit, frikacak si ai. Ka shkruar mbi njëqind “vepra”, të rënda si tullat, që lexoheshin aq sa lexohen tullat, dhe me gjithë mashtrimet e falsifikimet pa fund, kurrkund s’ka dëshmuar një trimëri vetjake, nuk shkruan se udhëhoqi një betejë, një aksion, se i zuri pritë armikut, se u përlesh, u gjakos. E vetmja trimëri që e përshkruan me tone epike në një libër të tërë, nuk është mësymje, është ikje, vetëm ikje. Ikje “heroike” nëpër male gjatë operacionit të dimrit, për t’u shpëtuar nazistëve që e ndiqnin. E vetmja trimëri me të cilën mburresh ti, nuk është ikje, është rrahje. Ata që i akuzon si dhunues, thonë se ka qenë thjesht dhunë pasioni. Pas togfjalëshit dhunë pasioni e ke qepur gojën.

Frikacaku është më i rrezikshëm se trimi. Trimi matet fort, vret i fundit, tutësi vret nga prapa ferrës. Shumë vrasje të shokëve gjatë luftës Enveri i bëri që prapa fustanit të një gruaje. I shkruante Nexhmijes të dekorohet akëcili, dhe dekorata nuk vononte: një plumb mbas shpine.

Ti u tutesh shokëve të tu. Prandaj s’ke bërë kurrë zgjedhje në partinë tënde. Druhesh se ta bëjnë tetëshin.

Ti u tutesh kundërshtarëve të tu. Prandaj nuk bën kurrë debat ballë për ballë me Sali Berishën. S’e përballon dot shikimin drejtpërdrejt në sy. S’e përballon dot me argumente.

Ti u tutesh shqiptarëve. Prandaj i rras në burg e i tërheq zvarrë për një faturë të papaguar. Prandaj po i masakron studentët e nxënësit që protestojnë. Ua ndërsen narkopolicët, duke u premtuar rritje rroge dhe 2500 euro bonus. Polici mercenare në një vend anëtar të NATO-s?!

Ti tutesh me e dhanë dorëheqjen. Sali Berisha e Fatos Nano kanë dhënë dorëheqje nga dy herë secili. Dorëheqja është akt guximi. Ti nuk e njeh guximin njerëzor. Bëhu trim e jepe dorëheqjen. Vetëm një herë trim. Dhe do të mbahesh mend. Sepse trimëria e tutësit mbahet mend, si diçka e pazakontë. Ndryshe nga trimëria e trimit, që nuk bie në sy, se është e pritshme, normale.

Ti i tutesh gjithkujt, edhe vetes.

E sheh jetën ose lulnajë pa fund, ose zift i zi. Por jeta nuk është bipolare. Mundohu me e këqyrë jetën me sy normal. Dhe do të fillosh me e kuptue më mirë.

Dorëhiqu.

Burrë i mençëm është ai që njeh Kohën dhe veten.

“Raama jepe dorëheeeqjen”!

Burimi Syri.net

  • Related Posts

    NIPI I SËMURË I SPIRO KOLEKËS KËRCËNON T’U HEQË TË DREJTËN E STUDIMIT TË RINJVE SHQIPTARË: KUSH DEL NGA RRUGA E PARTISË, DUHET TË NDËSHKOHET?!

    Historia duket sikur po përsëritet, vetëm se këtë herë jemi në vitin 2026 dhe jo në diktaturën komuniste. Edi Rama, pasardhës i familjes së Spiro Kolekës, ish-anëtarit të Byrosë Politike…

    SOT, FISHTA U NGRIT MË LART!

    Nga Rush Dragu U ndjemë thellësisht keq kur pamë në rrjetet sociale pamje të disa të rinjve pa një kauzë të qartë, pa ide dhe pa asnjë lidhje me frymën…

    Leave a Reply

    Mos horroni ti shikoni

    Tirana renditet si qyteti me koston e jetesës më të papërballueshme në Evropë

    • By Admin
    • October 22, 2026
    • 12 views
    Tirana renditet si qyteti me koston e jetesës më të papërballueshme në Evropë

    Euro bie përsëri, i afrohet më shumë kufirit të 90 lekëve

    • By Admin
    • October 22, 2026
    • 23 views
    Euro bie përsëri, i afrohet më shumë kufirit të 90 lekëve

    Bëhu vetëm një herë trim!

    • By Admin
    • October 22, 2026
    • 5 views
    Bëhu vetëm një herë trim!

    NIPI I SËMURË I SPIRO KOLEKËS KËRCËNON T’U HEQË TË DREJTËN E STUDIMIT TË RINJVE SHQIPTARË: KUSH DEL NGA RRUGA E PARTISË, DUHET TË NDËSHKOHET?!

    • By Admin
    • October 21, 2026
    • 5 views
    NIPI I SËMURË I SPIRO KOLEKËS KËRCËNON T’U HEQË TË DREJTËN E STUDIMIT TË RINJVE SHQIPTARË: KUSH DEL NGA RRUGA E PARTISË, DUHET TË NDËSHKOHET?!

    SOT, FISHTA U NGRIT MË LART!

    • By Admin
    • October 21, 2026
    • 22 views
    SOT, FISHTA U NGRIT MË LART!

    “Dajak” proporcional!

    • By Admin
    • October 21, 2026
    • 22 views
    “Dajak” proporcional!

    Discover more from AlbDreams.com

    Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

    Continue reading

    Discover more from AlbDreams.com

    Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

    Continue reading