Rinia e Evropës është në lëvizje – por a ka ndonjë gjë që vërtet i bashkon ata?

Nga Milano, Marseja e Madridi, e deri në shumë qytete të tjera anembanë Evropës, rrugët janë mbushur me protesta plot gjallëri e pasion gjatë javëve të fundit. Ndonëse shumica e tyre nisën në mënyrë paqësore, një pjesë e madhe përfunduan me skena tronditëse dhune dhe plaçkitjesh. Ka pasur pretendime se grupe të së majtës radikale i kanë nxitur qëllimisht trazirat, si dhe raportime për përdorim të tepruar të forcës nga ana e policisë.

Kemi parë mijëra njerëz të mbledhur në Romë e Firence, dhe qindra mijëra të tjerë në mbarë Francën. Në Madrid, një kamp me tenda ka zënë një shesh në qendër të qytetit që nga fundi i shtatorit. Në Lisbonë, dhjetëra mijëra njerëz – kryesisht të rinj – marshuan në fillim të këtij muaji. Në Bruksel, ndaj protestuesve u përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji, pasi disa të rinj të veshur me të zeza – me fytyra të mbuluara për të fshehur identitetin – hodhën gurë dhe fishekzjarrë drejt policisë.

 

Në Shqipëri, protestuesit, të cilët denoncojnë korrupsionin qeveritar, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili është në pushtet prej 13 vitesh.

Ky kontinent duket se po kalon një periudhë paqëndrueshmërie, si në aspektin shoqëror, ashtu edhe në atë politik.

Kam kaluar vite të tëra në Evropë duke raportuar nga një sërë demonstratash, qofshin ato paqësore apo të dhunshme. Më kujtohen mirë marshimet e zjarrta të katalanasve për pavarësi në vitin 2017; dëshpërimi dhe koktejet molotov që fluturonin rrugëve të Athinës gjatë krizës së borxhit grek në vitin 2015; si dhe shpërthimet e ndryshme të dhunës në Francë gjatë mandatit të parë të presidentit Emmanuel Macron, të nxitura nga propozimet për taksat mbi karburantin dhe reformën e pensioneve.

Por kjo duket ndryshe. Protestat po shpërthejnë njëkohësisht në të gjithë Evropën dhe shumica e demonstruesve – si paqësorë ashtu edhe të dhunshëm – janë të rinj. Disa me të vërtetë të rinj. Midis të arrestuarve, ka një numër të habitshëm të të miturve. Mbi gjysma e të ndaluarve në përleshjet në Barcelonë fundjavën e kaluar ishin nën 18 vjeç. Të mitur ishin midis atyre që u arrestuan nga policia në Milano pas përleshjeve, sipas agjencisë italiane të lajmeve LaPresse.

Qeveritë e Evropës, për pjesën më të madhe, kanë qenë të kujdesshme të bëjnë dallimin midis plaçkitësve dhe protestuesve nga njëra anë, dhe demonstratave të zhurmshme, por paqësore, të organizuara ligjërisht nga ana tjetër.

Këto të fundit kanë tendencë të përqendrohen rreth një kauze të caktuar. Në valën aktuale të protestave, pankartat dhe thirrjet synojnë kryesisht ankesat për arsimin, pabarazitë sociale dhe koston në rritje të jetesës – megjithëse çdo vend vjen edhe me grupin e vet unik të ankesave.

Çfarë e ka shkaktuar këtë zemërim publik tek të rinjtë e Evropës, me sa duket kaq shpejt? A janë të gjitha këto demonstrata në një farë mënyre të ndërthurura? Dhe me zgjedhjet e mëdha evropiane në horizont, si do të zgjedhin qeveritë të reagojnë – duke dëgjuar shqetësimet e protestuesve, apo duke luajtur kartën e rendit dhe ligjit për të fituar mbështetjen e votuesve të moshuar?

“TikTokizimi” i protestave
Studentët kanë dalë në rrugë në Francë, Belgjikë, Irlandë, Spanjë, Portugali, Itali, Greqi, Serbi dhe Shqipëri – duke përfshirë një hapësirë ​​prej më shumë se 1.600 kilometrash nëpër kontinent.

Demonstratat organizohen shpesh në mënyrë spontane përmes TikTok-ut ose Instagramit. Ministri i Brendshëm i Belgjikës është shprehur kritik ndaj asaj që ai e quan “TikTokizimi” i protestave.

Sindikatat studentore luajnë një rol në organizimin e marshimeve, por ato frymëzohen gjithashtu nga veprimet e bashkëmoshatarëve të tyre në vende të tjera, madje edhe në kontinente të tjera. Mjafton të përmendim lëvizjen studentore indiane të njohur si “Buburrecat” (Cockroach) – një lëvizje proteste sociale dhe politike e “Gjeneratës Z”, e cila u shfaq në maj të këtij viti, duke nisur me kritika ndaj sistemit arsimor indian.

Franca, ku vala aktuale e protestave studentore nisi në fund të shtatorit – e nxitur nga ankesat e studentëve për mungesën e stafit dhe godinat e amortizuara – shërben si një katalizator kryesor në Evropë. Në Belgjikën fqinje ekziston një shprehje: kur në Paris bie rrebesh, në Bruksel bie të paktën shi i imët. Në kryeqytetin belg, si dhe në qytetin e Liezhit, prej javësh tashmë shihen të rinj që protestojnë.

 

Në Barcelonë, këtë fundjavë, nxënësit u inkurajuan të protestonin duke përdorur hashtagun në rrjetet sociale #InstitutsIndignats, duke bërë jehonë të sloganit francez “Lycées Indignés” (Gjimnazet e Indinjuara).

Në Athinë, nxënësi 17-vjeçar grek, Yiannis Papanikolaou, i tha agjencisë AFP: “Ndërtesat shkollore janë në gjendje të tmerrshme dhe mirëmbahen keq… Mendoj se diçka mund të ndryshojë; për shkak të asaj që po ndodh në Francë, Franca do ta nxisë edhe Greqinë.”

 

Stagnimi dhe shqetësimet për përballueshmërinë ekonomike
Në të gjithë kontinentin, një numër i madh të rinjsh përjetojnë një ndjesi vështirësish ekonomike – dhe kjo shkon përtej çështjeve të arsimimit. Ata shqetësohen për mjedisin dhe kanë frikë se inteligjenca artificiale do t’u heqë mundësitë për punësim. Gjithashtu, druhen se rritja e shpejtë e kostos së jetesës mund t’i pengojë të përfundojnë arsimimin, si dhe t’u pamundësojë blerjen apo marrjen me qira të një banese mjaftueshëm të madhe për të krijuar një familje.

Në Madrid dhe Lisbonë, pakënaqësia është përqendruar te çmimet tejet të larta të banesave. Në Portugali, fushata të organizuara përmes Instagramit shprehnin moton “mjaft më” dhe u bënin thirrje njerëzve të dilnin në rrugë, ashtu siç kishin bërë bashkëmoshatarët e tyre në Spanjë.

Në Lisbonë, 26-vjeçarja Carolina Cruz, studente e doktoraturës dhe studiuese në fushën e biologjisë, tregon se rrezikon të mbetet pa shtëpi, pasi kontrata e saj e qirasë po përfundon. “Jam e para në familjen time që ndjek një program doktorature dhe, pavarësisht gjithë studimeve që kam bërë, sërish nuk ia dal dot mbanë,” tha ajo për agjencinë Reuters.

Kjo zemëratë ndahet edhe nga 22-vjeçari Riccardo, një protestues në kryeqendrën financiare të Italisë, Milano. “Edhe nëse nuk arrijmë ta çojmë vendin në kaos siç ndodhi në Francë, apo të bllokojmë çdo rrugë siç ndodhi në Spanjë, qëllimi është që të paktën njerëzit të fillojnë të flasin sërish për këto probleme,” u shpreh ai për agjencinë AFP.

Dhe sigurisht, nuk janë vetëm të rinjtë e krahut të majtë ata që ndjehen të zemëruar. Në aktivitetin e nisjes së fushatës presidenciale të nacionalistes franceze Marine Le Pen, të mbajtur fundjavën e kaluar, mbështetës të rinj më shprehën shqetësime të tjera. Ata e quajnë veten “shumica e heshtur” – pasi ende nuk kanë dalë në protesta – dhe thonë se janë thellësisht të shqetësuar për “imigracionin e pakontrolluar”, sigurinë në rrugët e Francës, si dhe për koston e jetesës.

 

Kriza të ndërthurura
Vala e pakënaqësisë është përhapur përtej të rinjve, duke përfshirë sindikatat, lëvizjen franceze heterogjene të “Jelekëve të Verdhë” – e cila protestoi kundër krizës së kostos së jetesës gjatë mandatit të parë të Macronit – si dhe nisma të tjera qytetare. Këtë fundjavë, në Kent, në bregdetin e Anglisë jugore, u zhvilluan dy protesta: njëra në mbështetje të imigracionit dhe tjetra kundër tij.

 

Ky grupim i larmishëm protestash mund të duket konfuz.

Mark Leonard, drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, flet për një grumbullim krizash në Evropë – kriza që ndjekin njëra-tjetrën dhe që ndeshen mes vete – e të cilat, sipas tij, nuk janë zgjidhur kurrë siç duhet. Kjo ndjesi zemërimi të akumuluar tani po shpërthen nëpër rrugë.

“Krizat mbivendosen njëra mbi tjetrën,” më tha ai. “Kriza financiare e viteve 2007-2008, kriza e migrantëve e vitit 2015, kriza mjedisore, Covid-i, inflacioni pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, e tani sërish me luftën në Gjirin Persik.”

Leonard thotë se nga këto kriza kanë dalë në pah “fise” të ndryshme. Përdorimi i rrjeteve sociale dhe algoritmet i forcojnë këndvështrimet e tyre të ndryshme, duke çuar në një polarizim të vërtetë në Evropë.

“Këtë e kemi parë tashmë në SHBA,” thotë Leonard. “Një ndjesi se ‘kriza ime është më e rëndësishme se kriza jote’.”

Nathalie Tocci, ish-këshilltare e qeverisë italiane dhe aktualisht profesoreshë e politikës në Universitetin Johns Hopkins, më thotë se nuk duhet të habitemi aq shumë nga protestat, apo nga përfshirja e të rinjve në to.

“Ne priremi t’i shohim të rinjtë si njerëz të shkëputur nga politika dhe të painteresuar. Mendojmë se ata nuk e marrin mundimin të votojnë e kështu me radhë, por në fakt ata janë vërtet të angazhuar,” më tha ajo, “thjesht në një mënyrë ndryshe, që buron nga baza. Mendoni për lëvizjen mjedisore ‘Fridays for the Future’ në mbarë Evropën pak vite më parë, ose për demonstratat kundër veprimeve të Izraelit në Gaza pas 7 tetorit.”

 

Ajo vë në dukje lëvizjen protestuese të udhëhequr nga studentët në Serbi, e cila së fundmi mundi liderin shumëvjeçar Aleksandar Vuçiç në zgjedhjet parlamentare. “Është diçka vërtet mbresëlënëse. Ata vazhduan pa u ndalur, për më shumë se dy vjet. Sa të qëndrueshme do të jenë këto protesta të reja evropiane nëpër rrugë? Kjo mbetet ende e paqartë.”

 

Po në lidhje me plaçkitjet dhe dhunën?

Shërbimet e inteligjencës në Francë dhe Belgjikë i kanë përshkruar plaçkitjet në periferi të protestave të ligjshme si veprime kryesisht oportuniste.

Ata sugjerojnë se trazirat janë një përzierje e “dhunës së pakuptimtë” – term i përdorur edhe nga autoritetet spanjolle në Barcelonë për të përshkruar përplasjet atje gjatë fundjavës – si dhe e kaosit të orkestruar qëllimisht nga të rinj që i përkasin grupeve radikale të së majtës ekstreme.

Tocci më kujtoi se, në Itali, mund të dëgjoni fjalën “maranza”, të cilën e përdorin disa italianë të indinjuar nga autorët e shkatërrimeve që duket se kryhen thjesht për hir të shkatërrimit; për shembull, thyerja ose djegia e makinave apo e koshave të plehrave në hapësirat publike.

Në Francë, pjesëmarrësit në trazira shpesh përshkruhen si “casseurs” – njerëz që thyejnë gjëra. Megjithatë, në biseda private, disa përdorin një term me ngarkesë më të fortë politike: “racaille”.

Ashtu si “maranza” në Itali, ky është një term zhargon pejorativ, që përdoret zakonisht për të përshkruar të rinj urbanë të pakënaqur e të dhunshëm, të cilët shpesh vijnë nga klasa punëtore ose kanë prejardhje emigrante. Ky term u përdor në tetor të vitit 2005 nga ministri i atëhershëm i Brendshëm i Francës, Nicolas Sarkozy, për t’iu referuar delinkuentëve të rinj dhe pjesëmarrësve në trazira, gjatë një vizite të tensionuar në zonat e banimit social në Argenteuil, një periferi e Parisit.

Mediat franceze kanë ngritur gjithashtu pyetjen nëse ka pasur një aleancë interesi – sado joformale apo e rastësishme qoftë ajo – midis dy grupeve të të rinjve: aktivistëve të së majtës ekstreme dhe të rinjve nga lagjet e pafavorizuara të Francës.

 

Ashtu si e majta antikapitaliste, edhe të rinjtë që jetojnë në komplekset e banimit social në periferi të qyteteve franceze (të njohura si “banlieues”) shpesh ndihen të diskriminuar dhe ankohen për qasjen e ashpër të policisë ndaj tyre.

 

E djathta dhe qendra politike në Francë, përfshirë Macronin, fajësojnë grupet radikale të së majtës dhe “delinkuentët” për planifikimin e trazirave. Ndryshe nga partia “Tubimi Kombëtar” (Rassemblement National) e Le Pen-it, ata nuk kanë përmendur ndonjë lidhje me imigracionin e kaluar apo aktual në Francë.

Kritikët i akuzojnë partitë kundër imigracionit në Evropë se po përpiqen të përfitojnë nga trazirat për të fituar pikë politike. Në Belgjikë, partia nacionaliste flamande “Vlaams Belang” – e cila është në opozitë dhe kundër imigracionit – duket se i ka fajësuar emigrantët për dhunën në Liezh dhe Bruksel, duke i përshkruar trazirat si “të importuara” dhe duke ia vënë fajin dështimit të integrimit e politikës së kufijve të hapur. Ministri i Brendshëm i Belgjikës, Bernard Quentin, ka drejtuar gishtin nga grupet e së majtës ekstreme.

 

Një lëvizje në vazhdim?
Janë planifikuar demonstrata të reja masive për ditët në vijim në Francë dhe Itali.

Qeveritë po përpiqen të marrin masa të ashpra kundër dhunës. Janë kryer mijëra arrestime, ndërsa Italia dhe Franca janë zotuar të zbatojnë parimin “kush shkatërron, ai paguan” për personat që marrin pjesë në trazira.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po ashtu po i bën prindërit e të miturve përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre, duke përfshirë këtu edhe zbritjen e ndihmave sociale që përfiton familja. Në Francë, Kodi Civil i bën tashmë përgjegjës prindërit që jetojnë me fëmijët e tyre për dëmet që këta të fundit shkaktojnë.

Megjithatë, disa nga këto qeveri evropiane mund të mos qëndrojnë gjatë në pushtet. Të gjitha vendet e mëdha të BE-së kanë zhvilluar, ose do të zhvillojnë, zgjedhje kyçe në muajt e ardhshëm. Zgjedhjet presidenciale në Francë konsiderohen si më vendimtaret për Evropën. Në sondazhe, Le Pen qëndron vazhdimisht shumë përpara rivalëve të saj. Mendohet se trazirat në rrugët e Francës po e ndihmojnë atë, falë mesazhit të partisë së saj për rendin dhe ligjin.

 

Në Spanjë, Itali, Gjermani dhe Poloni, partitë nacionaliste, të ashpra ndaj imigracionit, po japin gjithashtu rezultate të mira në sondazhe. Këto parti premtojnë të rivendosin rendin dhe krenarinë kombëtare. Leonard beson se partitë populiste ose jo-tradicionale në të majtë dhe të djathtë janë bërë “sipërmarrëse krize”, duke përdorur situatën e trazuar në Evropë për të tërhequr votues të pakënaqur.

Ndërkohë, rryma kryesore politike e Evropës përballet me një krizë lidershipi, thotë Grégoire Roos, drejtor i Evropës në grupin e ekspertëve Chatham House.

Do të thoja se edhe ata përballen me një krizë legjitimiteti. Fakti që kaq shumë njerëz – të rinj dhe jo aq të rinj – po protestojnë tregon se ata nuk kanë arritur të kontrollojnë gjërat.

 

Megjithatë, nuk është aspak e qartë nëse zgjedhjet e reja do ta zgjidhin pakënaqësinë e publikut. Për shembull, Franca është aq e polarizuar, saqë nëse Le Pen do të bëhej presidente, shumëkush parashikon se kundërshtarët e saj do të mbushnin rrugët e Francës, të zemëruar.

Evropa moderne është ndërtuar mbi supozimin se qytetarët paguajnë taksa dhe u binden ligjeve. Në këmbim, ata përfitojnë shërbime të mira publike – si arsimi dhe kujdesi shëndetësor – siguri personale, si dhe një shoqëri të qëndrueshme që ndjek rregulla dhe norma të caktuara.

Por ky “kontratë shoqërore” është dobësuar dukshëm, thotë Roos.

Duke parë trazirat në rrugët e Evropës, duket se kjo valë protestash ka gjasa të vazhdojë.

 

  • Related Posts

    Edi Rama shpall Erjon Veliajn puçist

    Pas rusëve, iranianëve, Antifës dhe krimit të organizuar, Edi Rama ka zbuluar edhe armikun e brendshëm që kërkon ta rrëzojë nga pushteti, Erion Veliajn, duke u kujdesur që askush në…

    “Balluku”/ Standardi i dyfishtë, SPAK-u si vegël në duart e Ramës

    Nga Boldnews.al Në ligjin për funksionimin e Prokurorisë thuhet se “Prokurorët ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të pavarur, gjatë hetimit dhe përfaqësimit të akuzës në gjykim”. Sipas këtij përcaktimi,…

    Leave a Reply

    Mos horroni ti shikoni

    Rinia e Evropës është në lëvizje – por a ka ndonjë gjë që vërtet i bashkon ata?

    • By Admin
    • October 31, 2026
    • 14 views
    Rinia e Evropës është në lëvizje – por a ka ndonjë gjë që vërtet i bashkon ata?

    Edi Rama shpall Erjon Veliajn puçist

    • By Admin
    • October 30, 2026
    • 16 views
    Edi Rama shpall Erjon Veliajn puçist

    “Balluku”/ Standardi i dyfishtë, SPAK-u si vegël në duart e Ramës

    • By Admin
    • October 30, 2026
    • 27 views
    “Balluku”/ Standardi i dyfishtë, SPAK-u si vegël në duart e Ramës

    Pse Perëndimi mbyll sytë për cenimin e demokracisë në Shqipërinë e Ramës

    • By Admin
    • October 30, 2026
    • 20 views
    Pse Perëndimi mbyll sytë për cenimin e demokracisë në Shqipërinë e Ramës

    Ambasadorja e BE-së në Shqipëri për protestat

    • By Admin
    • October 30, 2026
    • 41 views
    Ambasadorja e BE-së në Shqipëri për protestat

    Tabaku: Pse bizneset mbështesin protestën e studentëve

    • By Admin
    • October 28, 2026
    • 18 views
    Tabaku: Pse bizneset mbështesin protestën e studentëve

    Discover more from AlbDreams.com

    Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

    Continue reading