Lufta në Iran do të jetë gjithashtu pjesë e diskutimeve, por jo Ukraina.
Nga Phelim Kine
Presidenti Donald Trump do të takohet javën e ardhshme me udhëheqësit e Kinës dhe të Rusisë për të diskutuar mbi mundësinë e reduktimit të arsenaleve bërthamore të të tria vendeve, konfirmoi Shtëpia e Bardhë të premten.
Një zyrtar i lartë i administratës, i cili informoi gazetarët lidhur me takimin e planifikuar, tha se Trump, presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin do të diskutojnë për uljen e rezervave bërthamore.
Kjo do të jetë hera e parë që udhëheqësit e tre vendeve, të cilat zotërojnë rezervat më të mëdha të armëve bërthamore në botë, do të takohen për të diskutuar çështjet e mospërhapjes së këtyre armëve.
“Shpresojmë se ky është fillimi i një dialogu që mund të jetë produktiv në të ardhmen,” tha zyrtari, duke theksuar se SHBA-ja nuk pret që nga këto bisedime të arrihet ndonjë marrëveshje për reduktimin e armëve.
Gazetarët pranuan që zyrtari të mbetet anonim, si kusht për të marrë pjesë në këtë takim informues.
Aktualisht nuk ka mekanizma ligjorë që të kufizojnë madhësinë e rezervave të armëve strategjike të këtyre tre vendeve. Traktati që kufizonte arsenalet bërthamore të Rusisë dhe SHBA-së skadoi në muajin shkurt. Kina u është shmangur thirrjeve për t’u përfshirë në bisedime mbi mospërhapjen e armëve, me argumentin se forcat e saj bërthamore janë dukshëm më të vogla se ato të SHBA-së dhe Rusisë.
Roli i Kinës si nikoqire e takimit është i rëndësishëm, duke pasur parasysh rritjen e ndjeshme të arsenalit të saj bërthamor gjatë dekadës së fundit. Në një raport të vitit 2024, Pentagoni bëri të ditur se Kina zotëron rreth 600 armë bërthamore dhe pritet që deri në vitin 2030 ky numër të arrijë në rreth 1,000 koka bërthamore. Rusia dhe SHBA-ja zotërojnë secila nga rreth 5,000 armë bërthamore.
SHBA-ja shpreh shqetësim lidhur me zgjerimin dhe mungesën e transparencës së forcave bërthamore të Kinës.
“Mënyra tejet e fshehtë se si Kina po vepron me arsenalin e saj bërthamor, ndikon në sigurinë e çdo njeriu në botë,” tha zyrtari, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Takimi trepalësh do të përfshijë gjithashtu diskutime rreth luftës në Iran. Megjithatë, lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk është pjesë e agjendës.
“Presidenti ka deklaruar se nuk ka ndërmend të flasë për Ukrainën në atë takim,” pasi diskutimet mbi konfliktin në Ukrainë zhvillohen në një proces të veçantë, në të cilin Kina nuk është e përfshirë, tha zyrtari.
Takimi, për të cilin administrata Trump kishte dhënë sinjale prej javësh, ka ngjallur polemika, pjesërisht për shkak të shqetësimeve se Trump mund ta shfrytëzojë atë për të diskutuar të ardhmen e Ukrainës me agresorin e saj, si dhe me Kinën, e cila ka mbështetur përpjekjet luftarake të Rusisë.
Ky takim do të ofrojë gjithashtu një mundësi për një fotografi historike mes SHBA-së dhe udhëheqësve të dy vendeve më të mëdha autoritare në botë, interesat e të cilëve shpesh janë diametralisht të kundërta me ato të SHBA-së.
“Imazhi që krijohet është tejet i pafavorshëm,” u shpreh Ian Brzezinski, ish-zëvendësndihmës sekretar i Mbrojtjes për politikën evropiane dhe të NATO-s (2001-2005), aktualisht bashkëpunëtor në Këshillin Atlantik (Atlantic Council).
“Ideja se ata mund të ulen së bashku me Trumpin dhe të përpiqen të zgjidhin probleme pa përfshirjen aktive të aleatëve dhe partnerëve tanë — duke u dhënë atyre, në njëfarë mënyre, përparësi ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë — do të jetë tejet shqetësuese për aleatët tanë në Evropë, në rajonin Indo-Paqësor dhe gjetkë.”







