Përtej “shkëlqimit” të shifrave, molla e krimbur e ekonomisë shqiptare

Ekonomia pritet të vijojë të rritet poshtë potencialeve të saj edhe në vitin 2024. Një ambient i dobët ndërkombëtar dhe problemet e brendshme strukturore do t’i vënë shkopinj në rrota makinës ekonomike që, edhe sot, ecën me karburant të cilësisë së dobët. Turizmi pritet të jetë sërish motori kryesor, megjithëse në 2023 “dështoi” që të përkthehet në shifra të mira të rritjes. Ndërtimi do të orientohet kryesisht nga zonat bregdetare, teksa pritet rënie e shitjeve të shtëpive të shtrenjta në kryeqytet. Në kontrast, shtrenjtimi i pasurive të paluajtshme pritet të vijojë. Eksportet dhe industria do të vazhdojnë të mbeten të dobëta, të ndikuara nga shtimi i kostove, rënia e Euros dhe koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare. Politika e shtrënguar monetare dhe inflacioni ende i lartë pritet të jenë pengesë për konsumin. Por, problemi më i madh i ekonomisë po bëhet mungesa e fuqisë punëtore, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të viteve të fundit. A do të vijojë më rritja e pagave?!

Nga Ornela Liperi

Ekonomia shqiptare nuk e ka pasur asnjëherë problem të “shkëlqejë” me shifrat. Rezultati final është gjithmonë më i mirë sesa parashikimi i fillimvitit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) priste në fillim të 2023-shit që viti të mbyllej me një rritje prej 2%, ndërsa shifra reale mund të rezultojë midis 3.2-3.5%, në varësi të rezultateve të tremujorit të katërt.

Në vitin 2022, vendi u zgjerua me 4.8%, rreth 1.15 pikë përqindjeje mbi mesataren rajonale.

Ecuria e mirë e ekonomisë në shifra befason gjithnjë dhe Menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas. “2023 ishte shumë më mirë sesa prisnim. Ky është një nga ato raste kur jam shumë i lumtur që gabova”, thotë ai në një intervistë të posaçme për “Monitor”.

LEXONI EDHE: Salinas i BB: Humbja e kapitalit njerëzor është rrezik kritik për Shqipërinë
Burimi: INSTAT

Problemi real, në fakt, është cilësia e rritjes ekonomike, që po përjeton vendi.

“Ndërtimi dhe konsumi kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e Shqipërisë në vitet e fundit. Jam i dyzuar për këtë tendencë.

Në një anë po, është mirë të ketë rritje, por është e qartë se këta sektorë nuk janë domosdoshmërisht ata që duhet të orientojnë rritjen që Shqipëria do të ketë në bazë afatgjatë – dhe sigurisht ata nuk gjenerojnë vendet e mira të punës, për të cilat aspirojnë njerëzit”, pohon z. Salinas.

Modeli aktual i rritjes ekonomike nuk entuziazmon as FMN-në. “Shqipëria duhet të fokusohet në krijimin e një mjedisi të shëndoshë biznesi, që do të nxiste zhvillimin e prodhimit me vlerë më të lartë të shtuar dhe do të rriste produktivitetin.

Zbatimi i reformave strukturore për të forcuar qeverisjen, kapitalin njerëzor dhe konkurrencën, si dhe përmirësimi i infrastrukturës, do të ndihmonte Shqipërinë të tërheqë më shumë investime të huaja dhe të integrohej më shumë në zinxhirët e vlerës globale”, thotë Anke Weber, shefe e misionit në Shqipëri e FMN-së, në një intervistë për “Monitor”.

LEXONI EDHE: Weber e FMN: Ekonomia do të nxitet nga turizmi, konsumi pritet të ngadalësohet nga rritja e interesave

Shifrat nuk kanë “gënjyer” asnjë pjesë të rëndësishme të forcës së punës, që në mungesë të alternativave më të mira të punësimit apo perspektivës e ka gjetur zgjidhjen në emigracion, duke u kthyer gradualisht në një problem madhor të ekonomisë shqiptare, që nuk duket se po gjen zgjidhje.

“Frenimi i emigracionit duhet të jetë një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike dhe sociale, nëpërmjet tërheqjes së më shumë Investimeve të Huaja Direkte në sektorë prodhues dhe shërbimesh me punë më produktive dhe me pagë më të mirë, duke krijuar më shumë mundësi pune për gratë, të rinjtë dhe njerëzit me disavantazhe, si dhe të përmirësojë cilësinë e arsimit”, thotë znj. Ekaterina Solovova, drejtuese për Shqipërinë e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në një intervistë për “Monitor”.

LEXONI EDHE: Solovova e BERZH: Rritja e niveleve të migracionit të të rinjve, e kombinuar me plakjen e popullsisë, pritet të thellojë krizën demografike

Të dhënat e 9-mujorit 2023 të INSTAT tregojnë se ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë udhëhequr rritjen ekonomike në T I dhe T II dhe u renditën të dytët dhe të tretën në T III, pas administratës publike (e ndikuar nga rritja e pagave).

Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe shërbimi ushqimor, që janë të lidhura direkt me ndërtimin dhanë një kontribut modest, ndërsa bujqësia dhe industria në pjesën më të madhe kishin efekt negativ.

Praktikisht, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë ndikuar në gati gjysmën e rritjes për 9 mujorin, tregues i varësisë së lartë të vendit nga një model zhvillimi i paqëndrueshëm dhe vlerë të shtuar të ulët.

Burimi: INSTAT

PENGESAT

Ambienti me interesa të larta nuk pritet të jetë shumë favorizues. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se do të vijojë të mbajë një politikë të shtrënguar monetare, ndonëse me intensitet më të ulët se më parë. Norma bazë ka arritur në 3.25%, ndërsa FMN ka kërkuar që të arrijë deri në 4.5%.

Inflacioni, që u rrit më pak se mesatarja e BE-së në fillim të krizës së çmimeve, tashmë është rreth 4%, dy herë më i lartë se në BE, për shkak të problemeve të brendshme, kryesisht nga kostot e larta të prodhimeve bujqësore.

FMN parashikon që inflacioni do të arrijë objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3% në fillim të vitit 2025. “Ka pasiguri rreth tendencës së inflacionit dhe koha dhe madhësia e këtyre rritjeve duhet të jenë fleksibël dhe të orientuara nga të dhënat, duke marrë në konsideratë perspektivën e përgjithshme makroekonomike”, thotë FMN.

Ndryshimet klimatike janë një tjetër faktor pengues afatgjatë. Ngrohja globale po nxit një seri ngjarjesh jonormale, të cilat ndonëse priteshin, ishin abstrakte, deri kur arritën në një pikë që filluan të ishin të dukshme nga bujqësia, të cilat po ndikohen negativisht nga përmbytjet tek energjia.

Edhe sektorë të tjerë po i ndiejnë pasojat, si fasoni (për shkak të motit të ngrohtë ka ndryshuar kërkesa për veshje, duke krijuar stok për veshjet e dimrit), prodhimi i verës etj. Vendi nuk është ende i përgatitur për t’u përballur me këtë proces.

Problematika e gjetjes së fuqisë punëtore dhe presioni i pagave. Mungesa e fuqisë punëtore, kryesisht rrjedhojë e emigracionit të lartë po kthehet në një problem real për bizneset, duke penguar planet e tyre për investime. Salinas i Bankës Botërore thotë se teksa humbja e kapitalit njerëzor është një rrezik kritik për Shqipërinë.

Për të frenuar largimin e punonjësve bizneset u detyruan të rrisnin pagat e punonjësve, të nxituar dhe nga lëvizjet e qeverisë për pagat e administratës.

Por, dhe hapësira për rritjen e pagave, që nuk u shoqërua me shtim të produktivitetit, duket se është ezauruar.

Erald Pashaj, Administrator i EPPC Albania & Kosovo, kompani me aktivitet në fushën e trajnimit dhe zhvillimit të stafit, pohon se ritmi i rritjes do të bjerë.

“Bazuar në analizën që kemi bërë në zyrën tonë, në gjashtë muajt e fundit të 2023, por edhe në rritjet e parashikuara të bizneseve që janë klientët tanë, mund të themi që rritja në vitin 2024 do të jetë në harkun 4% – 8%”, pohon ai.

Burimi: INSTAT

NGA DO TË VIJË RRITJA NË 2024-n

Institucionet ndërkombëtare presin që rritja të jetë e moderuar edhe këtë vit. Si FMN, ashtu dhe BERZH, parashikojnë që zgjerimi i ekonomisë do të jetë në rreth 3.3% në 2024.

Konsumi i frenuar nga çmimet e larta dhe politika ende e shtrënguar monetare që pret të mbajë Banka e Shqipërisë janë dy faktorë që veprojnë kundër, ndërsa turizmi do të vijojë të ndikojë pozitivisht.

Shpejtësia e rritjes pritet të jetë e ndryshme, në varësi të sektorëve dhe faktorëve specifikë që mund të ndikojnë pozitivisht, apo negativisht.

Burimi: INSTAT

Bujqësia në territor negativ

Bujqësia, e cila vijon të ketë peshën kryesore në aktivitetin ekonomik, do të vazhdojë të përballet me shumë të papritura, si kapriçot e motit, apo shtimi i kostove. Më pozitive është perspektiva për prodhimet e perimeve dhe serrat, që ndikohen pozitivisht nga kërkesa e lartë në tregjet ndërkombëtare.

Për blegtorinë, situata është krejt e kundërt. Prej disa vitesh, ky sektor po njeh vetëm rënie, si rrjedhojë e emigracionit dhe rritjes së kostove, duke ndikuar negativisht dhe industritë e lidhura me të, si përpunimi i qumështit, duke i lënë terren importit.

Bujqësia është i vetmi sektor që ka qenë në territor negativ në tre vitet e fundit, ndonëse ka peshën më të lartë në ekonomi, në rreth 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Prej vitesh, sektori nuk ka arritur të bëhet konkurrues, si rrjedhojë e problemeve strukturore, si mungesa e ekonomisë së shkallës, ndërsa vitet e fundit po vuan nga rritja e kostove dhe sidomos emigracioni i lartë që po lë fermat dhe ekonomitë lokale pa punonjës.

Paradoksi i turizmit të lartë dhe efektit zhgënjyes në ekonomi

Shqipëria përjetoi në 2023-shin vitin më të mirë historik të saj, duke kaluar për herë të parë shifrën e 10 milionë shtetasve të huaj që hynë në vend. Në kontrast, efekti në ekonomi ishte shumë më i ulët në krahasim me atë që pritej.

Aktiviteti i “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që kontribuon në rreth 17% të ekonomisë (i dyti pas bujqësisë) dhe normalisht duhet të reflektonte efektin e konsumit të shtuar nga turizmi, u rrit me vetëm 0.77% në tremujorin e tretë 2023, kur kulmon turizmi, nga 9.92% në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Kjo ishte dhe ecuria më e ulët që nga tremujori i katërt i 2020-s, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë.

Burimi: INSTAT

Edhe për gjithë 9-mujorin, ky aktivitet është zgjeruar me më pak se 2%, shumë më pak se nivelet dyshifrore që kishte arritur dy vitet e mëparshme.

Disa nga faktorët që kanë ndikuar në këtë tendencë vlerësohet se janë informaliteti i lartë në turizëm dhe shpenzimet e ulëta të të huajve që vijnë në vend, që kryesisht kategorizohen si turistë me çanta shpine.

Në kahun tjetër, vendi ka “humbur” konsumatorë si rrjedhojë e emigracionit të lartë sidomos të të rinjve, që shfaqet në rënien e konsumit të drithërave, sheqernave, sallamet etj.

Gjithsesi, të paktën për ardhjen e turistëve, viti 2024 pritet të jetë sërish pozitiv. Burime zyrtare nga “Tirana International Airport” thanë për “Monitor” se në vitin 2024, përmes këtij aeroporti pritet të fluturojnë 9 milionë pasagjerë, nga rreth 7.3 milionë pasagjerë që u mbyll 2023-shi.

Në 2023, rreth 60% e udhëtarëve ishin të huaj dhe kjo përqindje ka ardhur në rritje vit pas viti. Këtë vit pritet një rritje e turistëve nga Mbretëria e Bashkuar, si rrjedhojë e hyrjes së linjës me kosto të ulët “Ryanair”.

Pritshmëritë janë pozitive edhe për prenotimet në hotele, një model që po bëhet gjithnjë e më i qëndrueshëm, me zgjerimin e investimeve për rritjen e kapaciteteve në dhoma e shtretër në të gjithë bregdetin. “Kontratat janë mbyllur që në mes të 2023.

Nga ajo që shoh në përgjithësi nga tregu, është një rritje që shkon deri në 35% ‘e-commitment’, apo angazhimit për të hyrë në marrëdhënie garancie.

Për vitin 2024 janë ezauruar kapacitetet që jepen me garanci dhe disa partnerë kanë siguruar kërkesat e tyre, ndërsa të tjerë nuk kanë arritur të gjejnë kapacitetin e kërkuar. Tregu polak kryeson edhe për këtë vit dhe më pas vjen ai çek e të tjerët me radhë”, thotë Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.

Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers International Albania, thotë se hoteleria pritet të ndjekë zhvillimin e fuqishëm që pati në vitin 2023, ndihmuar edhe nga shifrat pozitive të turizmit.

Bregdeti shqiptar, dhe veçanërisht Riviera Joniane shqiptare, pritet të ketë interes edhe më të madh, duke u rritur ndjeshëm me hapjen e aeroportit të Vlorës. Ajo shton se pritshmëritë janë pozitive dhe për tregtinë me pakicë në qendrat tregtare, pavarësisht rritjes së çmimeve si pasojë e inflacionit.

Optimist është dhe Julian Mane, zëvendëspresident i Grupit BALFIN, më të madhit në tregtinë me pakicë në vend. “Për shitjet me pakicë, viti 2024 pritet të jetë pozitiv, duke i dhënë një shtysë dhe rritje tregtisë me pakicë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kjo edhe për faktin se efektet negative të krizës së krijuar prej pandemisë po shuhen, por edhe vetë bizneset kanë fituar një përvojë të caktuar dhe kanë ndërtuar mekanizma që u përgjigjen më shpejt ndryshimeve”, pohon ai.

Ndërsa konsumi për disa produkte vendase pritet të jetë në rënie. Për operatorët prodhues, shkak kryesor i tkurrjes së konsumit mbetet strukturimi i popullatës nga largimi i të rinjve jashtë vendit.

Vuajtjet e industrisë do të vazhdojnë

Industria pritet të vuajë pasojat e rritjes së kostove të lëndëve të para, që nga njëra anë mund ta bëjnë industrinë jokonkurruese dhe, nga ana tjetër, mund të nxisin importet.

Industria e çimentos, përpunimit të metaleve, përpunimi i qumështit, fasoni, të gjitha raportojnë se po vuajnë si rritjen e kostove, ashtu dhe mosgjetjen e fuqisë punëtore.

Një ekonomi e pritshme e dobët ndërkombëtare pritet që të shtojë dhe më shumë vuajtjet për këtë segment që kontribuon në gati 11% të ekonomisë.

Për 9-mujorin 2023, për të dytin vit radhazi, industria shënoi rënie, që u thellua në 8.2% në tremujorin e tretë.

Industria po humb avantazhin konkurrues të prodhimit me çmim të ulët, për shkak të rritjes së pagave e kostove të tjera, ndërkohë që si rrjedhojë e këtyre problemeve nuk po arrin të kalojë në një fazë tjetër prodhimi, me vlerë të shtuar të lartë, duke vënë në dilemë ekzistencën për shumë sipërmarrje.

Ndërtimi, edhe sa do të vazhdojë rritja

Ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike në tre vitet e fundit, duke ndikuar shpesh në gati 50% të saj.

Të dy së bashku zënë rreth 16% të PBB-së. Si ndërtimi, ashtu dhe pasuritë e paluajtshme, u nxitën nga bumi i lejeve të ndërtimit që u dha në kryeqytet pas vitit 2017 dhe kulmoi në 2022, duke rënë për herë të parë në 2023.

Ndërtimi pritet të vazhdojë të rritet, por më shumë i orientuar nga turizmi. Ndërsa shitjet e pasurive të paluajtshme është e vështirë të parashikohen, për shkak se një pjesë e tyre ndikohet nga prurjet informale të valutës.

Gjithsesi, operatorët e tregut parashikojnë që shitjet e apartamenteve të shtrenjta të bien.

Një lajm i keq është se ka të ngjarë që rritja e çmimeve të vazhdojë, e ndikuar nga taksat më të larta, që transferohen direkt te blerësi fundor. “Në ndërtim, kostot direkte nuk do të jenë më të larta, ndërsa ndikimi i taksave nga qeveria pritet të jetë në rritje.

Nëse në Tiranë, sot aplikohet maksimumi i taksës së ndikimit në infrastrukturë (8%), disa qytete, si p.sh., Vlora, kanë hedhur në diskutim rritjen e kësaj takse nga 4% aktualisht, në 6%.

Ndryshimet e çmimeve të referencës deri më sot kanë dhënë ndikim vetëm në qytetin e Tiranës, me rritjen e çmimit të referencës në gjithë territorin e kryeqytetit, që pritet të rrisë koston e ndërtimit mesatarisht 40% më shumë. Sigurisht që kjo rritje kostosh do të shoqërohet me çmime më të larta.

Çmimi do të rritet besoj mesatarisht me 20%”, thotë kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi.

Sektorët e tjerë

-Aktivitetet profesionale kishin një ecuri të dobët në 2023, me kontribut negativ në ekonomi në 6 muajt e parë të vitit. Hyrja e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, që rrit ngarkesën fiskale për ta, mund ti japë një tjetër goditje negative aktivitetit të tyre.

Ky sektor kontribuon në rreth 6% të ekonomisë, pothuajse njësoj sa pasuritë e paluajtshme.

-Informacioni dhe Komunikacioni: Tregu i telekomunikacioneve është përqendruar, pas hyrjes së hungarezëve të 4iG, të cilët kanë bashkuar ONE dhe ALBtelecom në një të vetme, në funksion nga 1 janari 2023.

Kompanitë janë nën presionin e investimeve në teknologji, ndërkohë që fitimet janë të ulëta, çka po bën që ata të shtrenjtojnë paketat për konsumatorët.

Teknologjia e informacionit pritet të vijojë rritjen, duke u kthyer në një burim punësimi për të rinjtë, pas interesit të lartë të sipërmarrjeve të huaja për të kryer një pjesë të shërbimeve në Shqipëri.

-Arte, argëtim do të vazhdojë tendencën pozitive, e ndikuar dhe nga flukset e larta të pritshme të turistëve.

-Aktivitetet financiare do të vijojnë të ndikohen nga politika ende shtrënguese monetare e Bankës së Shqipërisë, që gjithsesi nuk parashikohet të frenojë kreditimin. “Edhe viti 2024 pritet të karakterizohet nga inflacioni dhe, në varësi të nivelit të tij, mund të kemi edhe ndryshim të normës bazë të interesit në Lek gjatë pjesës së parë të vitit.

Por tashmë besoj se jemi afër pikut të normave të interesit dhe gradualisht, shpresojmë që gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024 të fillojë ulja e tyre, sidomos në Euro”, thotë Bledar Shella, kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB).

Ai shton se rritja ekonomike, e mbështetur nga turizmi, ndërtimi si dhe nga projektet e reja në infrastrukturë, pritet të jetë pozitive dhe kjo do të ndihmojë në vazhdimin e rritjes së kredidhënies me ritme të kënaqshme.

Viti 2024 pritet pozitiv dhe për sektorin e sigurimeve. “Aktualisht, tregu i sigurimeve është i mirëkapitalizuar dhe financat e kompanive janë të stabilizuara”, thotë Klaidi Çitozi, kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë.

Ai shton se pas sfidave, që kaluan, si tërmeti, apo pandemia, kompanitë treguan që janë të konsoliduara dhe të maturuara mjaftueshëm për të kaluar në një stad tjetër, i cili është mjaft i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

  • Related Posts

    Eliona Kodra Shkreli/ Mbledhja e Këshillit Bashkiak sot dështoi…( Audio)

    Sot dështoi kryebashkiaku I bandave dhe stafi I tij tiranas që Shkodrën e kanë kthyer në çifligun e tyre personal duke e nëpërkëmbur në mënyrën më të shëmtuar të mundshme!…

    DIMER “ POETIK” NE LEZHE – Shenime

    PJETER  JAKU Pas disa ditë përpjekjesh, për të gjetë një biletë të favorshme, me datën 6 janar 24, ditën e shtunë pasdite fluturuam nga aeroporti i Detroitit për në Tiranë,…

    Leave a Reply

    Mos horroni ti shikoni

    “Politika e frikës”

    • By Admin
    • April 30, 2024
    • 9 views
    “Politika e frikës”

    Kush ishte Ministri i Brendhsme shqiptaro amerikani ing. Xhafer Deva

    • By Admin
    • April 30, 2024
    • 46 views
    Kush ishte Ministri i Brendhsme  shqiptaro amerikani ing. Xhafer Deva

    MARGO MARTIN,MIKESHA BESNIKE E ZOTIT TRUMP DHE SHOQET E SAJA QE E NDJEKIN NE FUSHATEN PRESIDENCALE Z.TRUMP

    • By Admin
    • April 17, 2024
    • 11 views
    MARGO MARTIN,MIKESHA BESNIKE E ZOTIT TRUMP DHE SHOQET E SAJA QE E NDJEKIN NE FUSHATEN PRESIDENCALE  Z.TRUMP

    “Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!” – Atë Benardin Llupi o.f.m. (1886-1946)

    • By Admin
    • April 8, 2024
    • 50 views
    “Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!” – Atë Benardin Llupi o.f.m. (1886-1946)

    Historia dhe origjina e kafesë Robusta

    • By Admin
    • April 6, 2024
    • 18 views
    Historia dhe origjina e kafesë Robusta

    I PARI PROJEKT RRUGOR I SOFISTIKUAR NË SHBA

    • By Admin
    • April 6, 2024
    • 16 views
    I PARI PROJEKT RRUGOR I SOFISTIKUAR NË SHBA

    Discover more from AlbDreams.com

    Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

    Continue reading

    Discover more from AlbDreams.com

    Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

    Continue reading