Një investim energjetik i huaj prej rreth 10 milionë eurosh në zonën e Malësisë së Madhe vijon të zvarritet prej më shumë se 8 vitesh, për shkak të pengesave burokratike, shkeljeve ligjore nga pushteti vendor dhe indiferencës së Kryeministrit Edi Rama, i cili mban peng zbatimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë.
Bëhet fjalë për shoqëritë “Malësia Solar 1, 2, 3”, të themeluara në vitin 2012 nga investitorë të huaj bullgarë, me administratorë Dimitar Botev dhe Edmond Sterkaj, me qëllim ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 7.5 – 8.6 MW në afërsi të burgut të Reçit.
Leje shtetërore dhe marrëveshje 30-vjeçare
Në vitin 2012, investitorët huaj nënshkruan një marrëveshje me ish-Komunën e Shkrelit, duke marrë me qira 150 mijë metra katrorë tokë për 30 vite. Projekti parashikonte hapjen e rreth 120 vendeve të reja pune dhe konsiderohej si një ndihmesë konkrete për zhvillimin ekonomik të zonës.
Në vijim të procedurave ligjore, Ministria e Energjisë dha më 14 janar 2015 autorizimin për ndërtim të centralit, ndërsa Këshilli Kombëtar i Territorit, me vendimet nr. 3, 4 dhe 5, datë 28.07.2016, miratoi lejet për ndërtimin e impiantit.
Shkelje nga Bashkia Malësia e Madhe: Nga 0.1% në 3%
Në vitin 2016, investitorët kërkuan zbardhjen e lejes së ndërtimit dhe kryerjen e pagesës përkatëse. Por Bashkia e Malësisë së Madhe, në kundërshtim me ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i kërkoi shoqërisë të paguante 3% të vlerës së investimit, në vend të normës ligjore prej 0.1%.
Ky veprim arbitrar ka bllokuar për vite projektin, duke detyruar kompanitë të ndjekin rrugën gjyqësore. Më 13 janar 2018, investitorët paguan taksën sipas normës ligjore (0.1%) dhe nisën betejën për njohjen e së drejtës së tyre.
Vendime të formës së prerë, të injoruara nga qeveria
Me vendimin nr. 122, datë 21.02.2020 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe më pas me vendimin përfundimtar të 7 tetorit 2021, gjykata u dha të drejtë investitorëve, duke i detyruar institucionet publike të përmbushin detyrimet e tyre ligjore.
Por pavarësisht vendimeve të formës së prerë, Këshilli Kombëtar i Territorit, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, nuk ka firmosur ende aktin final për lejimin e vijimit të punimeve.
Propaganda dhe realiteti: Pse hesht Rama?
Kjo sjellje bie ndesh me vetë propagandën e qeverisë për “klimën miqësore të investimeve” dhe “reformën në drejtësi”. Kjo është një provë konkrete se investimet e huaja nuk mbrohen nga shteti, madje edhe vendimet gjyqësore nuk zbatohen, kur nuk ka interes politik nga qeveria.
Shoqëritë “Malësia Solar 1, 2, 3” jo vetëm që kanë ndjekur çdo procedurë ligjore, por edhe kanë kontribuar konkretisht në Shqipëri, në vitin 2016, kompania sponsorizoi instalimin e paneleve diellore në tarracën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
A do të largohet një tjetër investim i huaj?
Sot, ky projekt strategjik vijon të mbahet peng nga burokracia dhe arbitrariteti i strukturave shtetërore. Nëse nuk firmoset menjëherë vendimi i KKT-së, Shqipëria rrezikon largimin e një investimi 10 milionë euro, të cilin vendet fqinje do ta kishin pritur me tapet të kuq.
Nëse Kryeministri vazhdon të injorojë vendimet gjyqësore për investitorët që kanë ndjekur çdo rregull, atëherë çfarë garancie kanë investitorët e tjerë që do të vijnë?
Shkruar nga Pamfleti









