Uc Turku, në 100-vjetorin e përcaktimit përfundimtar të kufirit në Vermosh

“Kur Komisioni Ndërkombëtar e vizitoi këtë terren dhe bëri anketë, të
bindshëm ishin udhëheqësit shqiptarë të fiseve, në mesin e të cilëve veçanërisht
u theksua Ukë Turku (lexo: Uc Turku-shënimi ynë), kurse përfaqësuesit e
Mbretërisë së SKS në mënyrë naive i paraqitën argumentet e veta dhe në mesin
e tyre sidomos një oficer dhe një avokat. Në saj të kësaj Vermoshi i takoi
Shqipërisë”
.
Petrit Imami: “Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj”. Vëllimi i parë.
Beograd, 2016.

Gjovalin Gjeloshi

Në prag të Pavarësisë
Veprimtaria patriotike dhe atdhetare e Uc Turkut, një prej prijësve më të rëndësishëm
të Kelmendit në fillim të shekullit XX, shfaqet qartë në vitet që paraprinë shpalljen e
Pavarësisë së Shqipërisë dhe në periudhën e vështirë që pasoi. Roli i tij si prijës i Kelmendit u
bë veçanërisht i dukshëm në vitin 1912, kur qeveria osmane përpiqej të qetësonte situatën në
Shqipërinë e Veriut, ndërkohë që lëvizja kryengritëse shqiptare po merrte përmasa të reja.
Në mars 1912, në Shkodër mbërriti i ashtuquajturi “Komisioni qeveritar i reformave”,
i drejtuar nga ministri i Brendshëm, Haxhi Adil Beu.¹ Megjithë përpjekjet për të vendosur
kontakte me malësorët, drejtpërdrejt ose përmes arqipeshkvit të Shkodrës, komisioni nuk
arriti t’i bindte krerët e fiseve të Malësisë së Madhe të hynin në bisedime. Edhe kleriku i lartë
nuk arriti të zhvillonte bisedime me krerët e fiseve. I vetmi prijës me të cilin mundi të
kontaktonte në atë kohë ishte Uc Turku.
“Në kohën kur erdhi ky komision, në qytet ndodhej edhe kryetari i Selcës. Por ai i
shpjegoi atij (klerikut të lartë) se i duheshin dy ditë për të dërguar mesazhin e thirrjes në
Vukël e Nikç.”² Kjo dëshmi tregon se krerët e Malësisë nuk ishin të gatshëm të hynin në
bisedime të shpejta me një komision, të cilin nuk e konsideronin si zgjidhje të problemeve të
tyre. Uc Turku e kishte të qartë rolin e tij si prijës, por njëkohësisht respektonte hierarkinë
tradicionale të krerëve të Malësisë së Madhe. Në këtë kuadër, “kryetari i Selcës” i bëri të
qartë autoriteteve kishtare se, nëse kërkohej një marrëveshje e përgjithshme, duhej të thirrej
fillimisht Hoti, si një nga fiset kryesore të Malësisë së Madhe.³
Kelmendi në kryengritjen e vitit 1912

2
Disa muaj pas largimit të komisionit, situata u përkeqësua. Në fund të korrikut 1912,
banorët e Kelmendit rrethuan dy postblloqe osmane në rajonin e tyre. Garnizonet, që sipas
vlerësimeve të kohës përbëheshin nga rreth 130 veta, u detyruan të dorëzoheshin për shkak të
mungesës së ushqimeve. Pas marrjes së armëve, një pjesë e tyre u dërgua drejt Gucisë dhe
pjesa tjetër drejt Tuzit.⁴
Sipas konsullit austro-hungarez në Cetinë, gjenerali Mitar Martinoviq e konsideronte
këtë veprim si hakmarrje për të rënët në Bregmatje.⁵
Më 2 gusht 1912, malësorët e Selcës rrethuan karakollin që ndodhej në Selcë. Pas
katër orë luftimesh, garnizoni u detyrua të dorëzohej. Malësorët morën 66 pushkë mauzer dhe
rreth 10 mijë fishekë, ndërsa 70 pjesëtarë të garnizonit u çarmatosën dhe u dërguan drejt
Gucisë.⁶
Këto zhvillime i përcillte konsulli austro-hungarez në Shkodër në Vjenë. Ato dëshmonin se
marrëdhëniet ndërmjet malësorëve dhe autoriteteve osmane po shkonin drejt një përplasjeje
të hapur. Në këtë situatë filloi të ndërhynte edhe Mali i Zi, duke u paraqitur si mbrojtës i
interesave të malësorëve shqiptarë.
Konsulli austro-hungarez në Shkodër, Zambauer, e ndiqte me shqetësim politikën
malazeze. Në mesin e shtatorit 1912, sipas informacionit që ai përcillte, dhjetë bajraktarë
katolikë kishin qenë në audiencë te mbreti Nikollë në Cetinë dhe më pas kishin kremtuar me
ministrat malazezë aneksimin e pritshëm të Malësisë.⁷
Situata politike ishte e paqëndrueshme. Malësorët nuk shihnin më rrugëdalje te
premtimet osmane, ndërsa në zonat e tyre vazhdonin represionet. Mali i Zi përpiqej të
shfrytëzonte këtë gjendje dhe, përmes kontakteve të ndryshme, të bindte krerët shqiptarë të
veriut dhe klerin katolik për bashkimin e krahinave të tyre me të.⁸ Një muaj më pas, në
Cetinë u paraqitën krerë të Grudës, Hotit, Kastratit dhe Shkrelit. Sipas raportimit të kohës, ata
kishin dhënë pëlqimin për bashkimin me Malin e Zi.⁹ Por në këtë grup mungonte “shefi i
Kelmendit”.
Mungesa e Uc Turkut është domethënëse. Kelmendasit e njihnin prej kohësh politikën
malazeze dhe konfliktet e vazhdueshme me të. Ata nuk e konsideronin bashkimin me Malin e
Zi si një zgjidhje të sigurt. Nuk është e nevojshme të paragjykojmë qëndrimin e krerëve të
tjerë të Malësisë. Gjendja e tyre ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe presioni osman i shtynte
të kërkonin një mbështetje të jashtme. Por për Kelmendin, përvoja historike me Malin e Zi
ishte një paralajmërim i fortë.
Nga Pavarësia tek çështja e kufijve
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe fillimit të veprimtarisë së Konferencës
së Ambasadorëve në Londër, çështja e territorit të shtetit të ri shqiptar hyri në një fazë të re.
Qysh përpara shpalljes së Pavarësisë, ambasadori austro-hungarez në Londër i përcillte
Vjenës qëndrimin e ministrit të Jashtëm britanik, Edward Grey, sipas të cilit të gjithë ishin
dakord që Shqipëria duhej të bëhej autonome, ndërsa problemi kryesor ishte se “ç’sipërfaqe
do të ketë ky vend autonom”.¹⁰
Për të njëjtin problem, ministri i Jashtëm austro-hungarez deklaronte se Austro-
Hungaria nuk mund të jepte votën për zgjerimin territorial të Serbisë në kurriz të Shqipërisë
dhe as për ndryshimin e status quo-së në bregdetin e Adriatikut.¹¹

3
Në këtë kuadër duhet parë edhe lidhja historike e Kelmendit me hapësirat e
Habsburgëve. Kelmendasit kishin luftuar në krah të ushtrive austriake kundër osmanëve dhe,
pas traktatit të vitit 1699, një pjesë e tyre u vendos në territore nën sundimin e Habsburgëve,
në Hërtkovce dhe Nikince të Sremit.¹²
Problemi i kufijve të Shqipërisë së Veriut ishte veçanërisht i ndërlikuar edhe për shkak
të dobësisë së autoritetit shtetëror. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, që administronte
Shkodrën, nuk ushtronte juridiksion përtej një rrezeje prej 10 kilometrash nga qyteti.
Përfaqësuesi britanik e konsideronte këtë një rrezik serioz, pasi linte një territor të
konsiderueshëm pa autoritet të konsoliduar.¹³ Në këto rrethana, jeta në zonën e largët të
Vermoshit bëhej edhe më e vështirë.
Uc Turku dhe Komisioni Ndërkombëtar i Kufirit
Pas mesit të prillit 1914, Uc Turku, si një nga prijësit kryesorë të Kelmendit, pati
takim me kolonelin Granet, përfaqësuesin britanik në Komisionin e Caktimit të Kufirit, të
cilit i argumentoi përkatësinë shqiptare dhe kelmendase të Vermoshit.¹⁴ Granet, nga ana e tij,
e informonte ministrin Grey për vështirësitë që haste komisioni dhe për pengesat që krijonin
postat kufitare malazeze e serbe.
Komisioni i Kufirit të Veriut, i krijuar nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913, përbëhej nga
përfaqësues të Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe
Rusisë. Përfaqësuesit ishin majori von Laffert, koloneli Mietzl, nënkoloneli Fournier, koloneli
Granet, koloneli Marafini dhe gjenerali Potapov, ky i fundit si president i komisionit.¹⁵
Punimet e komisionit u ndërprenë me afrimin e dimrit. Më 12 dhjetor 1913, Granet i
shkruante Grey-t nga Prizreni se “asnjë marrëveshje nuk duket se është e mundur” dhe se
komisioni po shpërndahej.¹⁶ Edhe dokumentet austro-hungareze dëshmojnë se kushtet e
dimrit e bënin të pamundur përfundimin e punimeve.¹⁷
Punimet rifilluan në pranverën e vitit 1914, por komisioni nuk arriti të përfundonte
përcaktimin e vijës së kufirit. Studimet historike mbi këtë proces dëshmojnë se
mosmarrëveshjet midis anëtarëve të delegacionit ishin të thella, sidomos për Vermoshin dhe
zona të tjera të kufirit shqiptaro-malazez.
Kelmendasit përballë mungesës së shtetit
Në këtë periudhë, krerët e Kelmendit, ndër ta Uc Turku dhe Prek Cali, u gjendën
përballë një situate të pazakontë: duhej të mbronin interesat e krahinës së tyre përballë një
shteti fqinj të organizuar, ndërsa shteti shqiptar ishte ende në fazën e konsolidimit. Një nga
autoritetet me të cilin ata komunikonin ishte koloneli Phillips, guvernatori i Shkodrës nën
administrimin ndërkombëtar. Kompetencat e tij ishin të kufizuara, por dokumentet tregojnë se
ai u interesua për gjendjen e banorëve të Vermoshit.
Në një telegram që konsulli i përgjithshëm britanik në Vlorë, Lamb, i dërgonte Grey-t,
shprehej shqetësimi se përgjegjësia për mbrojtjen e malësorëve binte mbi Fuqitë e Mëdha, të
cilat kishin lejuar që Mali i Zi të merrte një territor të banuar nga shqiptarë.¹⁸
Në mars 1914, Phillips kishte dërguar një korrier te banorët e Vermoshit për t'i
qetësuar, por korrieri ishte ndaluar nga malazezët dhe ishte detyruar të merrte një rrugë tjetër.

4
Krerët shqiptarë i kërkonin vazhdimisht udhëzime guvernatorit, ndonëse juridiksioni i tij nuk
shtrihej përtej zonës ndërkombëtare.¹⁹
Kjo situatë tregon qartë konfuzionin administrativ të kohës.
Marafini, Pevency dhe dëshmitë ndërkombëtare
Sipas kolonelit Marafini, të drejtat e pronësisë së kelmendasve ishin të
padiskutueshme. Ai mendonte gjithashtu se çështja e Vermoshit nuk duhej shtyrë dhe
mbështeste propozimin austro-hungarez për vijën kufitare.²⁰
Një tjetër dëshmi vjen nga raporti i lejtnantit Jesse Pevency, i Royal Warwickshire
Regiment, i cili, së bashku me lejtnantin Schneider të detashmentit gjerman, u dërgua në
zonën kufitare për të vlerësuar situatën. Ata u takuan, ndër të tjerë, me Uc Turkun dhe Prek
Calin.²¹
Këto dëshmi janë të rëndësishme sepse tregojnë se përballë komisionerëve ndërkombëtarë
nuk ishin vetëm përfaqësuesit zyrtarë të shtetit shqiptar. Në terren ishin edhe vetë krerët e
Kelmendit, të cilët mbronin të drejtat e popullsisë së tyre.
Presioni malazez
Gjendja e Kelmendit në vitet 1913–1914 pasqyrohet në relacionet britanike dhe
austro-hungareze. Më 13 qershor 1914, ambasadori britanik në Cetinë, De Salis, i shkruante
Grey-t se qeveria e Malit të Zi, duke mbyllur rrugën e Rapshës, po përpiqej ta detyronte
popullsinë e Kelmendit të pranonte përfshirjen në Malin e Zi.²²
Granet kishte propozuar që kelmendasve t'u garantohej e drejta e kalimit përmes
Hotit, por ministri malazez i Punëve të Jashtme e kundërshtoi këtë si kufizim të sovranitetit të
Malit të Zi.²³ Më 19 qershor 1914, konsullata britanike në Cetinë njoftonte Grey-n se qeveria
malazeze i kërkonte të udhëzonte kolonelin Granet që të mbështeste pikëpamjen e saj për
çështjen e Vermoshit.²⁴
Por vetë Granet mbante një qëndrim tjetër. Më 1 maj 1914 ai i shkruante Grey-t se
delegati francez i kishte propozuar krijimin e një aleance me delegatin rus kundër tri fuqive të
tjera, por ai e kishte refuzuar. Sipas Granetit, propozimet ruso-franceze shpesh ishin, sipas
gjykimit të tij, të padrejta ndaj Shqipërisë.²⁵
Uc Turku, një prijës në tryezën e diplomacisë
Takimet e Uc Turkut me përfaqësuesit e komisionit ishin të shpeshta. Një episod i
transmetuar nga Dom Zef Gilaj, duke iu referuar Don Ndre Zadejës, tregon për një bisedë
ndërmjet Uc Turkut dhe një komisioneri gjatë një pushimi në bjeshkët e Vermoshit.
Komisioneri, pasi kishte pirë një gotë ujë, e pyeti Ucin se si ishte e mundur që në
majë të maleve kishte ujë, kur uji, sipas natyrës së tij, rridhte poshtë. Uc Turku iu përgjigj me
një krahasim të thjeshtë e të mprehtë. Nëse komisionerit do t'i shpohej maja e kokës, tha ai, a
nuk do t'i dilte gjak? Episodi, sipas dëshmisë së transmetuar, e impresionoi shumë oficerin
dhe e krahasoi atë me burrat e zgjuar të Greqisë së lashtë. 26
Këtë anekdotë duhet ta lexojmë si dëshmi të traditës së transmetuar, jo si dokument
diplomatik. Por ajo përcjell një element që shfaqet edhe në burime të tjera: perceptimin e Uc

5
Turkut si një njeri me gjykim të shpejtë, të kthjellët dhe me aftësi për të komunikuar me të
huajt.
Nga ana tjetër, dokumentet britanike japin dëshmi shumë më të drejtpërdrejtë. Më 20
qershor 1914, Granet i shkruante Grey-t nga Gucia se kryetari i Kelmendit ankohej për
pengimin e shqiptarëve për të shkuar në tregjet e Gucisë dhe për marrjen e shtëpive e
pasurive të tyre nga malazezët.²⁷
Qeveria malazeze, përmes ministrit të Jashtëm Plamenac, deklaronte se, nëse
Vermoshi do t'i jepej Malit të Zi, të drejtat ekzistuese të pronësisë dhe kullotave do të
ruheshin dhe do të lejohej hyrja në tregje.²⁸
Por Granet e informonte Grey-n se kryetari i Kelmendit nuk njihte ndonjë kullotë
alternative në Shqipëri.²⁹ Kjo ishte një pikë thelbësore. Për kelmendasit, Vermoshi nuk ishte
thjesht një territor që mund të zëvendësohej me një tjetër. Ai ishte pjesë e ekonomisë, e jetës
dhe e kujtesës së tyre.
Qëndresa në vitet e Luftës së Parë Botërore
Me largimin e komisionit, gjendja e banorëve të Vermoshit u bë edhe më e vështirë.
Provokacionet, sulmet, plaçkitjet dhe marrja e pengjeve vazhduan gjatë periudhës së Luftës
së Parë Botërore.
Në këtë kohë zhvilloi një veprimtari të rëndësishme edhe Franc baron Nopça. Ai
kishte kontakte të drejtpërdrejta me krerët e Kelmendit dhe synonte të organizonte
mbështetjen e zonave veriore shqiptare. Nopça shkruan se Uc Turku i kishte shpjeguar se, për
sa kohë të afërmit e kelmendasve ndodheshin peng në Mal të Zi, fisi nuk mund të ndërmerrte
veprime kundër tij.³⁰
Nopça u interesua për sigurimin e municionit, furnizimin me ushqime dhe
organizimin e një kuvendi të Kelmendit.³¹ Ai përshkruan edhe sulmet malazeze dhe humbjet
e banorëve të Selcës.³² Në vijim kërkoi që Kelmendi të mbështetej me armë dhe që edhe
Shkreli të angazhohej në mbështetje të tij.³³
Këto dëshmi janë veçanërisht të rëndësishme për të kuptuar se Uc Turku nuk ishte
thjesht një figurë lokale, por një nga njerëzit me të cilët Nopça diskutonte drejtpërdrejt
mundësitë e veprimit në Kelmend.
Nga lufta tek Komisioni i ri i Kufirit
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, çështja e kufijve shqiptarë mbeti e
pazgjidhur në disa pika. Vermoshi ishte ndër çështjet që vazhduan të trajtoheshin nga
institucionet ndërkombëtare.
Në vitin 1922, puna e komisionit të kufirit hyri në një fazë të re. Për përbërjen e tij në
këtë periudhë, burimi kryesor që kemi është kujtimi i kolonelit francez André Ordion, i cili
më vonë u bë përfaqësues i Francës në Komisionin e Caktimit të Kufijve. Botimi shqip i
kujtimeve të tij është Një oficer francez në Ballkan 1917–1925, përgatitur nga Dominique
Danguy des Déserts dhe botuar nga Papirus më 2014.
Sipas Ordionit, në vitin 1922 komisioni përbëhej nga përfaqësuesit e Italisë, Francës
dhe Britanisë së Madhe: gjenerali Tellini, nënkoloneli Perret dhe nënkoloneli Giles. Në vitin

6
1923, Tellini (i cili u vra në pritë në kufirin grek), u zëvendësua nga gjenerali Gazzera, Perret
nga koloneli André Ordion, ndërsa Giles vazhdoi të përfaqësonte Britaninë.³⁴
Në këtë fazë, krahas përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, në mbrojtjen e çështjes së
Vermoshit u shfaqën sërish krerët e Kelmendit, po të njëjtët emra: Uc Turku dhe Prek Cali si
dhe përfaqësuesi i Klerit, Padër Ciril Cani.
Uc Turku dhe Prek Cali përballë komisionerëve
Koloneli Ordion e përshkruan Vermoshin si luginën e sipërme të Cemit, për të cilën
rivalizonin shqiptarët dhe jugosllavët. Ai theksonte pjellorinë e luginës dhe rëndësinë e
kullotave.
Ajo që e impresiononte më shumë ishte mënyra se si kelmendasit mbronin vendin e
tyre. Ordioni e lidh këtë qëndresë me kuptimin e vërtetë të “dashurisë së vendlindjes”.³⁵
Edhe një burim tjetër, Petrit Imami, duke iu referuar vizitës së komisionit në terren,
thekson se udhëheqësit shqiptarë të fiseve, veçanërisht Uc Turku, u treguan bindës në
paraqitjen e çështjes së tyre.³⁶
Megjithatë, këtu duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm. Nuk kemi bazë të
mjaftueshme për të thënë se urtësia e Uc Turkut ishte e vetmja ajo që përcaktoi vendimin për
Vermoshin. Ajo që burimet na lejojnë të themi me siguri është se ai dhe Prek Cali ishin ndër
përfaqësuesit më të dukshëm të popullsisë së Kelmendit, pra që bënin takim me Komisionin e
Fuqive të Mëdha, dhe se dëshmia e tyre la përshtypje te komisionerët.
Këtë e thotë vetë Ordioni: “Kryetarët e fiseve Kelmendi, Uc Turku dhe Prek Cali ishin
shumë energjikë dhe shumë të qartë në deponimet e tyre…”³⁷. Kjo është një nga dëshmitë më
të rëndësishme për figurën e Uc Turkut, sepse vjen nga një komisioner ndërkombëtar që e
kishte parë procesin nga afër.
Mehdi Frashëri dhe përfaqësimi shqiptar
Në këtë fazë Shqipëria tashmë kishte përfaqësuesit e saj shtetërorë. Ndër ta ishte
Mehdi Frashëri, i ndihmuar nga toger Kosturi. Frashëri bashkëpunoi me Uc Turkun, Prek
Calin dhe klerin katolik, P. Ciril Canin në përgatitjen e paraqitjes së argumenteve që do të
relatoheshin përpara komisionit.³⁸ Frashëri e vlerësonte Uc Turkun, përveç urtësisë edhe për
plagët që kishte marrë në luftë me shkjetë qysh në moshë të re dhe për këtë arsye kishte
mbetur çalaman.
Ordioni, megjithatë, është kritik ndaj mënyrës së paraqitjes së çështjes nga Mehdi
Frashëri. Sipas kujtimeve të tij, Frashëri nuk kishte dokumentacionin e mjaftueshëm dhe nuk
e paraqiste çështjen me forcën që kërkohej.³⁹ Në të kundërt, përshtypje shumë më të fortë i
lanë përfaqësuesit e Kelmendit.
Këtu duhet të jemi të kujdesshëm: ky është gjykimi personal i Ordionit, jo një
vlerësim kolektiv i të gjithë komisionit. Por është pikërisht për këtë arsye një dëshmi e
vlefshme për të kuptuar se si perceptohej Uc Turku nga një përfaqësues i huaj.
Ordioni dhe mbrojtja e Vermoshit

7
Në vitin 1923, koloneli Ordion u përball me qëndrime të ndryshme brenda komisionit.
Sipas kujtimeve të tij, nënkoloneli britanik Giles favorizonte pretendimet jugosllave. Ordioni,
përkundrazi, u tregua shumë më i hapur ndaj argumenteve të kelmendasve.⁴⁰
Në raportin përfundimtar, Giles shtoi një formulim që Ordioni e konsideronte të
rëndësishëm: “Çdo ndryshim që mund t’i bëhet vijës së propozuar nga Komisioni i vitit 1922,
do të duhet të bëhet në favor të Shqipërisë.”⁴¹
Ordioni nuk e fsheh simpatinë e tij personale për Serbinë dhe lidhjet historike franko-
serbe, por kjo nuk e pengoi të mbronte argumentet që i konsideronte të drejta. Ai thekson se
nuk kishte marrë udhëzime nga qeveria franceze për të mbështetur një qëndrim të caktuar dhe
se kishte pasur liri veprimi.⁴²
Edhe gjenerali italian Gazzera, sipas kujtimeve të Ordionit, mbajti një qëndrim të
paanshëm dhe ishte i prirur të mbronte Shqipërinë.⁴³
Por një ndikim të rëndësishëm në formimin e bindjes së Ordionit pati edhe kontakti i
drejtpërdrejtë me krerët e Kelmendit. Ai shkruan: “Për mua në Vermosh, shihja gjithmonë
kryetarët e fisit të Kelmendëve, Uc Turkun dhe Prek Calin, me të cilët kisha lidhur miqësi të
vërtetë.”⁴⁴ Sipas Ordionit, ata ishin njerëz pa arsimim formal, por shumë patriotë, të cilët
mbronin me këmbëngulje pronën e tyre dhe paraqisnin argumente që e kishin bërë atë të
mendonte gjatë për çështjen.
Përballja e fundit
Sa më shumë afrohej përfundimi i punimeve, aq më shumë shtoheshin presionet
jugosllave. Kur u shfaq nevoja për rikognicion të terrenit në bjeshkët e Vermoshit, Ordioni
përshkruan kundërshtimet e Giles dhe presionet e përfaqësuesve jugosllavë.⁴⁵
Në kujtimet e tij, ai tregon edhe për marrëdhëniet me prijësit e Kelmendit. Sipas tij,
Uc Turku kishte një autoritet të madh mbi fisin dhe pa miratimin e tij nuk ndërmerrej lehtë
ndonjë veprim. Ordioni kujton se kelmendasit e pritën mirë dhe se ai u kishte premtuar se do
të përpiqej që Vermoshi t'i mbetej Kelmendit.⁴⁶
Jugosllavët paraqitën edhe argumente strategjike, ndër to pretendimin se lugina e
Vermoshit ishte e nevojshme për një lidhje hekurudhore ndërmjet Pejës dhe Podgoricës.⁴⁷
Nga mbrojtja e Vermoshit tek akti përfundimtar
Këtu duhet bërë një saktësim i rëndësishëm për titullin dhe përfundimin e këtij
shkrimi: Procesi i Vermoshit nuk u mbyll juridikisht në vitin 1923. Komisioni i viteve
1922–1923 dha një bazë të rëndësishme për përcaktimin e vijës, por çështja vazhdoi të
diskutohej edhe më pas.
Burimet historike tregojnë se në vitet 1925–1926 çështja e kufirit shqiptaro-jugosllav
u rikthye në plan të parë dhe u lidh me negociatat shqiptaro-jugosllave për Shën Naumin dhe
Vermoshin. Akti përfundimtar i përcaktimit të kufirit u nënshkrua në Paris më 30 korrik 1926,
pas protokollit të demarkacionit të 26 korrikut.
Prandaj, nëse artikulli botohet në vitin 2026, titulli “Në 100-vjetorin e përcaktimit
përfundimtar të kufirit në Vermosh” është i saktë, sepse procesi kishte nisur shumë më herët
dhe 1926 shënon aktin përfundimtar juridiko-ndërkombëtar të demarkacionit 48 .

8

Një histori që nuk duhet harruar
Pretendimet mbi Kelmendin dhe Vermoshin nuk nisën me Komisionet e Kufirit. Ato
lidhen me një histori shumë më të gjatë të përpjekjeve për të ndryshuar kufijtë dhe për të vënë
nën kontroll territore shqiptare.
Edith Durham përmend përpjekjet e vitit 1907 për t'i dhënë Malit të Zi kullota të
Kelmendit.⁴ 9 Në këtë histori dalin edhe emra të huaj që, sipas burimeve të përdorura, patën
qëndrime të rëndësishme në mbrojtje të pretendimeve shqiptare: koloneli Marafini, gjenerali
Gazzera dhe, mbi të gjithë në fazën e fundit, koloneli André Ordion.
Por në qendër të kësaj historie qëndrojnë Uc Turku dhe Prek Cali. Ata nuk kishin në
dispozicion aparatin diplomatik të shtetit shqiptar, dokumentacionin e kancelarive europiane
apo strukturat administrative të shteteve fqinje. Kishin njohjen e drejtpërdrejtë të territorit,
kujtesën e të drejtave të trashëguara dhe vendosmërinë për t'i mbrojtur ato. Pikërisht për këtë
arsye dëshmia e Ordionit ka një peshë të veçantë. Ai nuk i përshkruan thjesht si prijës lokalë,
por si njerëz që, në kontaktin me komisionin, dinin të paraqisnin argumentet e tyre me qartësi
dhe këmbëngulje.
Uc Turku, pra, nuk duhet parë vetëm si një Vojvoda apo Prijësi i Kelmendit. Në
periudhën e vështirë të formimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, ai u shfaq edhe si një nga
përfaqësuesit më të zëshëm të interesave të Kelmendit përpara përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Kjo nuk do të thotë se ai e përcaktoi i vetëm fatin e Vermoshit. Vendimi ishte rezultat i
një procesi të gjatë diplomatik, ushtarak dhe juridik, në të cilin u përfshinë Fuqitë e Mëdha,
qeveritë shqiptare dhe jugosllave, Komisionet Ndërkombëtare të Kufirit dhe më vonë
Konferenca e Ambasadorëve dhe Lidhja e Kombeve.
Por pa qëndresën e banorëve të Kelmendit dhe pa zërin e krerëve të tyre, çështja e
Vermoshit do të ishte paraqitur ndryshe përpara komisionerëve ndërkombëtarë. Në këtë
histori, Uc Turku zë një vend të veçantë.
Vlerësimi i Mehdi Frashërit – “një plak me kuptim të kthjellët e patriot”; dëshmia e
André Ordionit për energjinë, qartësinë dhe patriotizmin e tij, apo kategorizimi i Baron
Nopçës, se Uc Turku kishte një ndikim të madh mbi të gjithë prijësit e tjerë, janë dëshmi të
ardhura nga burime të ndryshme, por që takohen në një pikë: tek figura e një prijësi
kelmendas që e kuptonte se mbrojtja e territorit të vendit të vet kërkonte jo vetëm trimëri, por
edhe maturi, argument dhe aftësi për të komunikuar me botën e jashtme.
Në vitin e 100-vjetorit të aktit përfundimtar të demarkacionit, rikthimi i kësaj figure
në kujtesën historike nuk është thjesht një akt nderimi për një prijës të vlerësuar pak, deri më
tash. Është edhe një përpjekje për të kuptuar më mirë se si, në momente të caktuara të
historisë, qëndresa lokale u bë pjesë e një çështjeje ndërkombëtare.
André Ordioni dhe mirënjohja shqiptare
Kontributi i kolonelit André Ordioni u vlerësua edhe nga shteti shqiptar. Në vitin 1928
ai u dekorua me “Urdhrin e Skënderbeut”. Një dokument i cituar në materialin tonë është
edhe letra e ministrit të Jashtëm shqiptar, Iljaz Vrioni, drejtuar Ordionit më 13 prill 1928, me

9
rastin e këtij vlerësimi. Burime të tjera konfirmojnë se autoritetet shqiptare e dekoruan
Ordionin me “Urdhrin e Skënderbeut” në vitin 1928 51 .
T’u shmangemi folklorizmave në trajtimin e kufirit të Vermoshit.
Pas vitit 1990, çështja e kufirit të Vermoshit është diskutuar gjerësisht në artikuj
gazetash, shkrime historike dhe deri në libra të veçantë. Në këtë periudhë, ngjarja është
pasqyruar edhe në këngë popullore, ku shpesh si personazh kryesor është paraqitur Prek Cali,
ndërsa Uc Turku dhe Atë Ciril Cani janë lënë në hije. Kjo lidhet, ndër të tjera, edhe me faktin
se Prek Cali ishte i vetmi prej këtyre tre protagonistëve që u pushkatua nga regjimi komunist
në vitin 1945, duke u shndërruar në vitet e para pas vitit 1990 në një figurë veçanërisht të
ndjeshme në kujtesën publike.
Kënga, gojëdhëna dhe kujtesa popullore janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së
një komuniteti. Por ato nuk mund të zëvendësojnë dokumentin historik. Kur një rrëfim
popullor, një këngë apo një legjendë merret si burim i drejtpërdrejtë për të rindërtuar një
ngjarje historike, studiuesi duhet të bëjë dallimin ndërmjet asaj që i përket kujtesës popullore
dhe asaj që mbështetet në dokumente dhe dëshmi historike. Nuk po bëjmë këngë për Mujin e
Halilin apo për kullat e krajlit; po përcjellim te lexuesi dhe dëgjuesi një ngjarje konkrete
historike dhe, si të tillë, duhet ta transmetojmë sa më pranë mënyrës se si ka ndodhur.
Folklorizma e parë: “Prek Cali apo Uc Turku ka pasur vulën e shtatë krajlive”. Një
pohim i tillë i përket legjendës dhe nuk mbështetet në ndonjë dokument që dëshmon
ekzistencën e një “vule të shtatë krajlive”. Një vulë e tillë, në këtë kuptim legjendar, nuk
mund të merret si fakt historik. Ndryshe qëndron çështja e Uc Turkut. Ai, si krahinar, kishte
vërtet një vulë personale në trajtë unaze (myhyr), të cilën e mbante në gishtin e vogël të dorës
së djathtë. Këtë e dëshmon edhe fotografia zyrtare e Uc Turkut, realizuar nga Marubi në vitin
1915, ku unaza është e dukshme dhe përbën një dëshmi konkrete për ekzistencën e saj.
Folklorizma e dytë: “Prek Cali, i vetmi shqiptar që ka qenë anëtar i Komisionit të
Kufirit”. As Prek Cali, as Uc Turku, as Atë Ciril Cani dhe as ndonjë shqiptar tjetër nga
Kelmendi nuk kanë qenë anëtarë të Komisionit Ndërkombëtar të Kufirit në Vermosh. Ata nuk
duhet të paraqiten si anëtarë të këtij Komisioni. Në kujtimet e tij, Mehdi Frashëri, përfaqësues
i Qeverisë Shqiptare, shpjegon mënyrën e funksionimit të Komisionit të Fuqive të Mëdha.
Komisioni dëgjonte dëshmitarë nga të dyja palët, të cilët paraqisnin fakte, dëshmi dhe
dokumente për të argumentuar përkatësinë e territorit të diskutuar. Në rastin e Kelmendit dhe
të Vermoshit, dëshmitarët e paraqitur ishin Uc Turku, Prek Cali dhe kleri katolik. (Mehdi
Frashëri, Kujtime, 2005).
Folklorizma e tretë: “Prek Cali apo Uc Turku u takuan me Kralicën e Inglizit në
majën e Vermoshit”: Edhe ky është një rrëfim që i përket kujtesës popullore dhe nuk mund të
merret si fakt historik pa dokumentim. Britania e Madhe ishte njëra prej Fuqive të Mëdha të
përfaqësuara në Komision dhe kishte përfaqësuesin e saj në këtë proces. Nuk ka arsye
historike që të mendohet se në Vermosh ka ardhur mbretëresha britanike. Ajo që mund të ketë
ushqyer këtë gojëdhënë është një tjetër fakt interesant i kujtesës lokale: malësorët e kohës e
kishin pagëzuar me nofkën “Kralica e Inglizit” shkrimtaren dhe udhëtaren angleze Edith
Durham. Kështu, një personazh real i historisë së marrëdhënieve të saj me shqiptarët është

10
shndërruar në kujtesën popullore në një figurë tjetër, duke krijuar një rrëfim që me kalimin e
kohës mund të jetë shkëputur nga rrethanat reale të ngjarjes.
Folklorizma e katërt: “Prek Cali ka vu kufijtë e Shqipërisë”: Kufijtë e Shqipërisë nuk i
ka vendosur as Prek Cali dhe as Uc Turku. Ata nuk kishin një kompetencë të tillë dhe nuk
mund të merrnin vendime në emër të Komisionit Ndërkombëtar. Por kjo nuk e zvogëlon
aspak rëndësinë e rolit të tyre. Uc Turku, Prek Cali dhe Atë Ciril Cani, së bashku me banorë
të tjerë të Kelmendit, dëshmuan, argumentuan dhe paraqitën prova për përkatësinë shqiptare
të Vermoshit dhe të bjeshkëve përreth. Ata kontribuuan në mbrojtjen e kësaj çështjeje përpara
Komisionit të Fuqive të Mëdha, në një moment kur territori i Kelmendit rrezikohej nga
përfshirja në territorin e Malit të Zi dhe të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Prandaj, merita
e tyre nuk qëndron në faktin se “vendosën kufijtë”, por në atë se dëshmuan dhe mbrojtën me
këmbëngulje përkatësinë e trojeve të tyre. Kjo është një meritë historike e cila nuk ka nevojë
të zmadhohet përmes legjendës, sepse vetë dokumentet dhe dëshmitë i japin asaj rëndësinë që
meriton.
Do të ishte mirë që çdo autor apo kantautor që merr përsipër të publikojë diçka për
çështjen e kufirit në Vermosh, të konsultohet paraprakisht me të dhënat dhe të vërtetat
historike. Ata burra që luftuan dhe kontribuuan bashkë nuk duhet të ndahen në kujtesën tonë:
as të glorifikohet njëri në kurriz të tjetrit dhe as të lihet në harresë i treti.
Dhe mbetet edhe një çështje tjetër që meriton vëmendje. Gjatë gjithë kohës që
Komisioni ishte në terren, përveç Uc Turkut, Prek Calit dhe Atë Cirilit, kishte edhe mjaft
kelmendas të tjerë që qëndronin në gatishmëri dhe në mbrojtje të tyre. Emrat e këtyre
njerëzve nuk janë përmendur sa duhet dhe, me sa duket, nuk janë identifikuar në mënyrë të
plotë, edhe pse prania e tyre dëshmohet në fotografi të kohës dhe në kujtesën lokale. Kjo
është një pjesë tjetër e historisë së Vermoshit që meriton të hulumtohet.
Historia nuk duhet të mbetet vetëm historia e figurave më të njohura. Edhe ata që
qëndruan pas tyre, në gatishmëri dhe në mbrojtje të trojeve të veta, janë pjesë e kësaj
ngjarjeje.
“Trimi i mirë me shokë shumë.”


______________________
*Sipas At Giussepe (Zef) Valentinit: “Kelmendasit… në qeverisje civile kanë më tepër krerë,
por në atë ushtarake i binden një të vetmi. Ata kishin një komandant absolut ushtarak dhe
disa krerë civil…. Në asambletë e mëdha ndërfisnore figuron një bajraktar i vetëm i quajtur
vojvoda i Kelmendit… ndërkohë që edhe në Gjykatën zyrtare të Xhibalit kishte një bylykbash
dhe Kelmendi nga ana e vet kishte vetëm një përfaqësues për të gjithë fisin në Xhibal. (At Z.
Valentini: E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare. Plejad, 2007. Faqe 213 dhe
322).
Burimet dhe referencat:
1. Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911–1914, UET, Tiranë, 2012, f. 412.
2. Po aty, f. 413.
3. Po aty, f. 413.
4. A. Lalaj, E. Kambo, S. Boçi, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze 1912, vëll. IV, f. 185.

11
5. Për Mitar Martinoviqin, shih po aty. Në materialin e autorit ai paraqitet si kryeministër, ministër i
Luftës dhe përfaqësues i Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi në vitet 1912–1913.
6. A. Lalaj, E. Kambo, S. Boçi, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze 1912, vëll. IV, f. 264.
7. Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Fatmira Musaj, Dokumente Austro-Hungareze, vëll. V, f. 237.
8. B. Meta, M. Dezhgiu, F. Musai, po aty, f. 279.
9. Po aty.
10. Marenglen Verli, Ledia Dushku, Dokumente Austro-Hungareze, vëll. VI, f. 81.
11. Po aty, f. 82.
12. Eqrem Zenelaj, Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-
Hungarisë (1699–1918), “Faik Konica”, Prishtinë, 2010, f. 44.
13. Dokumente britanike për Shqipërinë dhe shqiptarët, vëll. II, Tiranë, 2012, f. 83–84.
14. Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911–1914, UET, Tiranë, 2012, f. 757.
15. André Ordion, Një oficer francez në Ballkan, vëll. I, Papirus, Tiranë, 2014, f. 385; për përbërjen e
Komisionit Ndërkombëtar të Kufirit të Veriut. Për vetë veprimtarinë e Ordionit në Komisionin e
Caktimit të Kufijve nga prilli 1923, shih të dhënat e botimit të tij.
16. Valentina Duka, Dokumente britanike për Shqipërinë dhe shqiptarët, vëll. I, f. 504.
17. Dokumente Austro-Hungareze, vëll. VI, f. 402.
18. Po aty, f. 296.
19. Po aty, f. 356.
20. Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911–1914, UET, Tiranë, 2012, f. 762.
21. Po aty, f. 767–768.
22. Valentina Duka, Dokumente britanike për Shqipërinë dhe shqiptarët, vëll. II, janar–dhjetor 1914,
f. 494.
23. Po aty.
24. Po aty, f. 519.
25. Po aty, f. 517.
26. Dom Zef Gilaj, Jeta dhe vepra, Shkodër, 1998, f. 17.
27. Valentina Duka, Dokumente britanike për Shqipërinë dhe shqiptarët, vëll. II, janar–dhjetor 1914,
f. 520.
28. Po aty, f. 514.
29. Po aty.
30. Franc Baron Nopça, Udhëtime nëpër Ballkan, Plejad, 2007, f. 502–503.
31. Po aty, f. 507.
32. Po aty, f. 509.
33. Po aty, f. 510.
34. André Ordion, Një oficer francez në Ballkan, vëll. I, Papirus, Tiranë, 2014, f. 385
35. Po aty, f. 134.
36. Petrit Imami, Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj, vëll. I, “Samizdat B92”, Beograd, 2016, f. 437.
37. André Ordion, Një oficer francez në Ballkan, vëll. I, Papirus, Tiranë, 2014, f. 439.
38. Mehdi Frashëri, Kujtime, 1913–1933, OMSCA-1, 2005.
39. André Ordion, Një oficer francez në Ballkan, vëll. I, Papirus, Tiranë, 2014, f. 415, 461.
40. Po aty, f. 417.
41. Po aty, f. 441.
42. Po aty, f. 416.
43. Po aty.
44. Po aty, f. 464.
45. Po aty, f. 391.
46. Po aty, f. 455–456.

12

47. Po aty, f. 391.
48. Azizi, Isamedin. “The Question of the State Borders of Albania (1913–1926).” Гласник, 59, nr.
1–2, 2015, f. 163–172.)
49. Edith Durham, Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët, Tiranë, 1991,
f. 131.
50. André Ordion, Një oficer francez në Ballkan, vëll. I, Papirus, Tiranë, 2014, f. 603.
51. Revista Mbrojtja, Nr. 11, 2014
Vula personale e Uc Turkut

  • Related Posts

    JA EMRAT QË KANË BËRË KRIME NË KOHËN E KOMUNIZMIT

    Lista e Zezë e kombit shqiptare për 100 vitet e fundit JA EMRAT QË KANË BËRË KRIME NË KOHËN E KOMUNIZMIT (sigurisht që mungojnë dhe emra të tjerë) – Koka…

    Enver Hoxha bashkëpunoi me nazistët gjermanë?

    PROF.DR.ELMAS LECI Gjermanët shkuan e kërkuan kompromis me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe kjo ndodhi për herë të parë, kur trupat gjermane hynë në Shqipëri më 9 shtator të vitit 1943”. Materiali…

    Leave a Reply

    Mos horroni ti shikoni

    Uc Turku, në 100-vjetorin e përcaktimit përfundimtar të kufirit në Vermosh

    • By Admin
    • August 25, 2026
    • 22 views
    Uc Turku, në 100-vjetorin e përcaktimit përfundimtar të kufirit në Vermosh

    LE FIGARO/ Protesta, të gjithë shqiptarët denoncojnë një sistem mafioz

    • By Admin
    • August 11, 2026
    • 78 views
    LE FIGARO/ Protesta, të gjithë shqiptarët denoncojnë një sistem mafioz

    Capital One Thotë se Mbylli Llogaritë e Trump për Shqyrtim të Pastrimit të Parave, Jo për Politikë

    • By Admin
    • August 4, 2026
    • 33 views
    Capital One Thotë se Mbylli Llogaritë e Trump për Shqyrtim të Pastrimit të Parave, Jo për Politikë

    Partia Demokratike do të marrë një kthesë radikale pas zgjedhjeve në Michigan, thonë ekspertët politikë

    • By Admin
    • August 4, 2026
    • 106 views
    Partia Demokratike do të marrë një kthesë radikale pas zgjedhjeve në Michigan, thonë ekspertët politikë

    Ambasadori Ferit Hoxha dhe konsullatat në Shkoder dhe Preshevë

    • By Admin
    • August 1, 2026
    • 244 views
    Ambasadori Ferit Hoxha dhe konsullatat në Shkoder dhe Preshevë

    Paraja ka rëndësi, por nuk duhet të bëhet kurrë gjithçka.

    • By Admin
    • August 1, 2026
    • 78 views
    Paraja ka rëndësi, por nuk duhet të bëhet kurrë gjithçka.

    Discover more from AlbDreams.com

    Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

    Continue reading

    Discover more from AlbDreams.com

    Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

    Continue reading