Gjovalin Gjeloshi
Një krijimtari me rrënjë në vendlindje
Në të gjithë krijimtarinë e pasur prej 15 librash të Lulash Palushajt, vendlindja si një
hapësirë gjeografike, një kujtim i largët apo një motiv sentimental, vjen edhe si burim
frymëzimi, përvojë jetësore dhe pikë referimi për mënyrën se si autori e sheh njeriun,
shoqërinë dhe historinë. Malësia e Madhe, me peizazhin e saj, me njerëzit, zakonet,
marrëdhëniet familjare e shoqërore, me historinë e qëndresës dhe me pasurinë e gjuhës së
folur, përbën një nga boshtet kryesore të krijimtarisë së tij. Në këtë kuptim, Palushaj vërtetë
shkruan për Malësinë, por përpiqet të sjellë në letërsi një botë të tërë njerëzore, me vlerat,
shqetësimet, dhimbjet, krenarinë dhe mënyrën e saj të veçantë të të jetuarit.
Kjo lidhje e autorit me vendlindjen shfaqet në disa prej veprave të tij, duke filluar nga
përmbledhjet poetike Rrajë të ndame dhe Votra ime, te Malësorja e bjeshkëve tona dhe Nusja
me duvak të bardhë, si dhe në botimet me karakter etnografik e historik. Në veprën e tij,
familja, fisi, miqësia, besa, nderi, dashuria për tokën dhe kujtesa e të parëve paraqiten si
elemente të një tradite të trashëguar dhe bëhen pjesë e një përpjekjeje për të kuptuar
vazhdimësinë e identitetit shqiptar dhe mënyrën se si vlerat e një shoqërie përcillen nga një
brez te tjetri.
Nga poezia te proza dhe refleksioni historik
Në poezi, përmes vëllimeve Rrajë të ndame dhe Votra ime, ai i drejtohet botës së
ndjenjave, kujtesës, përkatësisë dhe marrëdhënies së njeriut me rrënjët e veta. Vetë titujt e
këtyre librave sugjerojnë dy motive të rëndësishme të krijimtarisë së tij: lidhjen me
prejardhjen dhe nevojën për ta ruajtur të paprekur vatrën shpirtërore, pavarësisht largësisë dhe
ndryshimeve që sjell jeta.
Në prozë, autori i drejtohet më gjerësisht jetës së njerëzve dhe mjedisit shoqëror ku
ata veprojnë. Romani Malësorja e bjeshkëve tona është një prej veprave ku bota malësore
merr përmasat e një realiteti letrar e historik. Në vlerësimet kritike për këtë roman është vënë
në dukje aftësia e autorit për t'u mishëruar me personazhet, për t'u dhënë atyre gjuhën,
shqetësimet dhe përjetimet e mjedisit prej nga vijnë. Një vend të veçantë në këtë krijimtari zë
edhe Nusja me duvak të bardhë. Kjo vepër, e cila ndërthur elemente të rrëfimit letrar dhe të
kujtesës, dëshmon interesin e autorit për historitë njerëzore, për figurat e së kaluarës dhe për
ngjarjet që kanë mbetur të gjalla në kujtesën kolektive.
Në këto vepra, një vend të rëndësishëm zë gruaja malësore. Ajo nuk është thjesht një
personazh që shfaqet në sfondin e jetës familjare e shoqërore, por një figurë me peshë, me
karakter dhe me rol të veçantë në historinë e qëndresën e kësaj bote. Lulashi është i dashuruar
pas xhubletës, por edhe pas heroizmave që gruaja shqiptare e malësore ka dëshmuar ndër
shekuj. Ai nuk e sheh atë vetëm si bashkëshorte, nënë, motër apo bijë, por si një figurë që ka
ditur të mbrojë familjen, nderin dhe vendin e vet, shpesh duke vënë jetën e saj në rrezik.
2
Në përfytyrimin tim, kjo grua nuk krahasohet thjesht me Zanën e Malit. Në çastet e
saj më të larta të heroizmit, ajo është vetë Zana, vetë Ora e Malit. Është një qenie tokësore, e
lidhur me jetën dhe vuajtjet e përditshme, por kur del në fushën e luftës, jo vetëm për të
ndihmuar burrin apo vëllanë, por për t'i mbrojtur ata, duke zgjedhur të bjerë vetë para se të
shohë rënien e tyre, ajo merr përmasat e një figure legjendare, të një shtojzovalleje të dalë nga
kujtesa dhe mitologjia popullore.
Ndërkaq, me Oqeani që përpin, Lot që nuk teren – zemër që s'pushon, Me Zotin flas
shqip dhe Ma shkretnuen zemrën, Palushaj zgjeron fushën e shprehjes drejt esesë, refleksionit
dhe trajtimit të çështjeve historike e kombëtare. Në këto botime shfaqet më drejtpërdrejt
autori si njeri i shqetësuar për fatin e popullit të vet, për padrejtësitë historike, për kujtesën
dhe për përgjegjësinë e brezave ndaj së ardhmes. Nuk është e rastësishme që motivi atdhetar
shfaqet në pjesën më të madhe të veprës së tij. Ai përbën një vijë lidhëse mes gjinive të
ndryshme letrare dhe mes temave që Palushaj trajton në krijimtarinë e vet. Vetë autori, është
një atdhetar i spikatur i ditëve tona.
Ilirishtja e Lulashit – gjuha si identitet dhe si vlerë krijuese
Në një parathënie që kam shkruar për librin e tij Nusja me duvak të bardhë, shkrimin e
kam titulluar “Ilirishtja e Lulashit”. Nuk ishte një zgjedhje e rastësishme fjalësh. Përmes këtij
titulli kam dashur të theksoj një nga veçoritë që, sipas mendimit tim, përbën një nga vlerat më
të dallueshme të krijimtarisë së tij: gjuhën.
Kur flasim për gjuhën e Lulashit, nuk kemi parasysh vetëm përdorimin e një të
folmeje krahinore apo zgjedhjen e një varianti të caktuar të shqipes. Kemi parasysh aftësinë e
shkrimtarit për të qëndruar pranë botës njerëzore që njeh, për të mos u shkëputur nga mënyra
se si njerëzit e vendlindjes së tij mendojnë, flasin, shprehin ndjenjat dhe rrëfejnë përvojat e
tyre.
Kjo është një nga meritat e tij si shkrimtar: ai nuk e kërkon gjuhën larg njerëzve, por e
gjen atë në jetën e tyre të përditshme, në kuvendin e burrave, në bisedat familjare, në kujtimet
e të moshuarve, në urtësinë popullore, në shprehjet e veçanta dhe në pasurinë e fjalorit të
Malësisë. Gegënishtja e Palushajt nuk është një zgjedhje formale apo një mënyrë për t'i
dhënë ngjyrë krahinore rrëfimit. Ajo është pjesë e identitetit të autorit dhe e botës që ai
përfaqëson. Përmes saj, personazhet nuk flasin me një gjuhë të huaj për mjedisin ku jetojnë,
por me gjuhën e tyre, me natyrshmërinë dhe ngjyrimin emocional që u përket.
Këtu qëndron edhe një nga veçoritë e tij si krijues: aftësia për të qenë pranë popullit
ku ka lindur dhe është rritur. Ai nuk e zbukuron artificialisht gjuhën e personazheve dhe nuk
e largon atë nga burimi i vet popullor. Përkundrazi, i jep asaj hapësirë të shprehet me tërë
pasurinë e saj. Kjo nuk do të thotë se vlera e gjuhës së tij qëndron vetëm te përdorimi i fjalëve
të rralla apo i shprehjeve krahinore. Vlera qëndron te mënyra se si ai i vendos ato në funksion
të rrëfimit, të karakterizimit të personazheve dhe të krijimit të atmosferës. Një fjalë e përdorur
në vendin e duhur mund të sjellë me vete një histori, një marrëdhënie njerëzore, një zakon
apo një mënyrë të të menduarit që nuk mund të shprehet me të njëjtën forcë përmes një
formulimi të përgjithshëm.
Në këtë kuptim, “Ilirishtja e Lulashit” është një mënyrë për të emërtuar lidhjen e tij të
thellë me rrënjët gjuhësore e kulturore. Është një realitet i afërsisë me gjuhën e trashëguar, me
fjalën e gjallë të popullit dhe me kujtesën që ajo mbart. Nuk mëtoj të them, një përcaktim
3
shkencor i prejardhjes së gegënishtes, por një vlerësim i marrëdhënies së veçantë të
shkrimtarit me gjuhën e vet.
Gjuha si kujtesë: kontributi i veprës “Fjalë të Malësisë së Madhe”
Kjo prirje e Palushajt për ta ruajtur gjuhën e gjallë popullore nuk mbetet vetëm në
krijimtarinë letrare. Ajo merr një dimension më të drejtpërdrejtë në botimin Fjalë të Malësisë
së Madhe – visar që s'duhet harrue, botuar në Shkodër më 2022.
Ky botim, i cili përmbledh rreth tre mijë fjalë, shprehje frazeologjike dhe njësi
idiomatike, përbën një përpjekje me vlerë për të mbledhur dhe dokumentuar pasurinë
gjuhësore të një treve shqiptare. Është një kontribut modest, që mund ta rreshtojmë me një
varg veprash të autorëve të tjerë në këtë fushë: Nikoll Gazulli, Mehmet Elezi etj. Në të
vërtetë, vepra e Lulashit ka shumë më tepër fjalë kësodore, se sa na sjellë Palushaj në këtë
botim të veçantë.
Fjalët nuk lindin dhe nuk jetojnë të shkëputura nga njerëzit. Ato marrin kuptim nga
mënyra se si përdoren, nga rrethanat ku shqiptohen dhe nga përvojat që mbartin. Shumë prej
tyre ruajnë në vetvete gjurmë të një jete të tërë shoqërore, të marrëdhënieve familjare, të
punës, të natyrës, të zakoneve dhe të botëkuptimit të njerëzve. Prandaj, mbledhja dhe
sistemimi i tyre është një punë që shkon përtej interesit të një autori individual. Ajo i shërben
kujtesës gjuhësore dhe kulturore, studiuesve, mësuesve, shkrimtarëve dhe brezave të rinj.
Në këtë drejtim, vepra e Palushajt merr një rëndësi të veçantë edhe për diasporën
shqiptare. Largësia nga vendlindja, ndërrimi i mjedisit gjuhësor dhe kontakti i vazhdueshëm
me gjuhë e kultura të tjera krijojnë rrezikun e zbehjes së përdorimit të shqipes, veçanërisht te
brezat e rinj. Për këtë arsye, ruajtja e fjalës së trashëguar dhe dokumentimi i pasurisë së saj
janë forma konkrete të mbrojtjes së identitetit. Palushaj, në këtë pikë, nuk është vetëm
shkrimtari që përdor gjuhën e vendlindjes në veprat e tij, por edhe mbledhësi dhe ruajtësi i
një pjese të kësaj pasurie.
Malësia, historia dhe kujtesa kombëtare
Një tjetër drejtim i rëndësishëm i krijimtarisë së Lulash Palushajt është marrëdhënia
me historinë dhe identitetin kombëtar. Në këtë drejtim, vepra Malësia dhe fiset e saj, e botuar
në dy vëllime, zë një vend të veçantë për nga përpjekja për të dokumentuar historinë,
organizimin tradicional dhe trashëgiminë etnokulturore të trevës.
Interesi i autorit për fiset, familjet, zakonet dhe kujtesën historike lidhet me bindjen se
një popull nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke harruar të kaluarën e vet. Këtu dua të sjell
edhe një kujtim personal, që lidhet me fillimet e kësaj vepre. Ishte viti 1994, kur Lulashi
botoi për herë të parë vëllimin Malësia e Madhe dhe fiset e saj. Pas poezisë, ky ishte libri i
parë i Lulashit. Në atë kohë pata rastin të merresha edhe me redaktimin e veprës. Teksa e
shfletoja dhe punoja me të, nuk munda të rrija pa i bërë një sugjerim autorit: “Lulash, ku
është Kelmendi, ku është Kastrati, ku është Shkreli?”. Lulashi ishte përqendruar në atë vëllim
vetëm te pjesa e Malësisë së Madhe që ndodhej nën juridiksionin e Malit të Zi. Pas një
diskutimi jo shumë të gjatë, ma ktheu: “Po, ke të drejtë”. Atëherë vendosëm që mbi kopertinë
të shënohej “Pjesa e Parë”. Dhe ashtu u botua.
Vite më pas, miku im i dashur nxori në dritë edhe vëllimin e dytë, më gjithëpërfshirës
dhe, në vlerësimin tim, më të përpunuar, me më pak pasaktësi. Kjo përvojë më ka mbetur në
kujtesë jo vetëm për rëndësinë e çështjes që diskutuam, por edhe për një cilësi të autorit:
gatishmërinë për të dëgjuar vërejtjet dhe për t'u kthyer te puna e vet me synimin për ta
4
përmirësuar. Lulashi nuk është ndalur në botimin e parë të një pune. Ai është përpjekur
vazhdimisht ta plotësojë e ta përmirësojë atë. Dhe kjo është një cilësi që duhet përshëndetur
nga kushdo që ulet të shkruajë.
Kjo prirje vërehet edhe në librat e tij me karakter refleksiv e publicistik. Në to, autori
trajton çështje që lidhen me fatin e shqiptarëve, me historinë e tyre, me marrëdhëniet
ndërshqiptare dhe me përgjegjësinë ndaj trashëgimisë kombëtare. Në këto shkrime, zëri i tij
është shpesh i drejtpërdrejtë, apelues dhe emocional. Ai nuk e fsheh qëndrimin e vet, por i
drejtohet lexuesit si një bashkëbisedues që kërkon të zgjojë kujtesën dhe vetëdijen. Kjo
mënyrë komunikimi e afron krijimtarinë e tij me publicistikën atdhetare dhe me traditën e
shkrimeve që synojnë jo vetëm të rrëfejnë, por edhe të ndërgjegjësojnë. Megjithatë, vlera e
kësaj krijimtarie duhet kërkuar si te mesazhi atdhetar, ashtu edhe në përpjekjen për të sjellë
në vëmendje njerëz, ngjarje dhe përvoja që përbëjnë pjesë të kujtesës historike e shoqërore të
shqiptarëve.
Shkrimtari dhe diaspora: largësia që nuk e shkëput nga rrënjët
Për një autor që jeton në diasporë, marrëdhënia me vendlindjen merr shpesh një
kuptim të veçantë. Largësia mund të krijojë nostalgji, por mund të shërbejë edhe si një pikë
vëzhgimi nga e cila autori e sheh më qartë botën prej nga ka ardhur. Në rastin e Lulash
Palushajt, largësia nuk duket se e ka zbehur lidhjen me vendlindjen. Përkundrazi, ajo është
kthyer në një arsye më shumë për t'iu rikthyer kujtesës, gjuhës, historisë dhe traditës. Në
veprat e tij, Malësia nuk na vjen si një kujtim i së kaluarës. Ajo është një realitet që vazhdon
të jetojë përmes fjalës së shkruar.
Por te Palushaj kjo lidhje me vendlindjen nuk është vetëm nostalgji. Ai e njeh nga afër
edhe dramën e emigracionit, sepse është vetë pjesë e saj. Si emigrant, ai e njeh shpirtin e
mërgimtarit, mallin, mungesën, sakrificat dhe atë dhimbje që nuk shprehet gjithmonë me
fjalë. Kjo përvojë personale ndihet në një varg veprash, si Lot që nuk teren – zemër që
s'pushon, Ma shkretnuen zemrën, Oqeani që përpin dhe Ka vojtë, o Malësi e Madhe, ka vojtë,
o shqiptar. Në to, emigracioni natyrisht është si lëvizje nga një vend në tjetrin, por është edhe
si dramë njerëzore, si ndarje nga familja, nga vendlindja dhe nga një botë që njeriu e merr me
vete, por nuk mund ta zëvendësojë askund. Malësori në të vërtetë ka lëvizur prej vitesh për
një jetë më të mirë, por vendlindjen nuk e ka harruar kurrë. Kjo vërehet edhe në veprat e të
gjithë shkrimtarëve të kësaj treve, por nuk mbetet më pas e gjithë masa e të mërguarëve, të
cilët më sa pakti investojnë në vendliondje, ndihmojnë në ndërtimin e veprave punlike atje
etj.
Palushaj e përjeton këtë dramë me dhimbje të veçantë. Ai shkruan për vuajtjet, dertet
dhe sakrificat e një populli që është detyruar të marrë rrugët e botës, dje dhe sot. Dhe
shqetësimi i tij lidhet me emigracionin e të gjitha kohërave. Ai e sheh me dhimbje edhe
zbrazjen e vazhdueshme të vendit, largimin e njerëzve dhe pasigurinë për të ardhmen. Në
këtë kuptim, shkrimet e tij janë edhe një thirrje për të mos e harruar vendin prej nga kemi
ardhur, për të mos e këputur lidhjen me të parët dhe për të mos e parë largësinë si arsye për të
harruar.
Në veprën e Palushajt zënë vend edhe heronjtë e Malësisë së Madhe dhe të popullit
shqiptar. Ai u rikthehet figurave të trimërisë, qëndresës dhe sakrificës, duke kërkuar t'i mbajë
të gjalla në kujtesën e brezave. Në këtë aspekt, do ta quaja “lahutari i trimërisë”. Ashtu si
lahutari i dikurshëm që përcillte nga një brez te tjetri bëmat e heronjve, edhe Palushaj u
5
kthehet atyre me fjalën e shkruar. Ai i bën thirrje shqiptarit të sotëm të mos harrojë shqiptarin
e djeshëm, të mos harrojë nga vjen, kush ishin gjyshërit e stërgjyshërit tanë, si e mbrojtën me
gjak këtë tokë, si e deshën atdheun dhe çdo pëllëmbë të tij. Edhe ata që u larguan dikur për
një jetë më të mirë, nuk e harruan vendin e tyre. Kjo është një nga porositë që përshkon
krijimtarinë e tij.
Një tjetër dimension i kësaj marrëdhënieje me kujtesën shfaqet në veprën Rrugë me
shumë mundime. Këtu Palushaj na paraqitet në një mënyrë më personale, përmes një
kronologjie të pasur të jetës së vet. Ai rikthehet te vitet e hershme, te puna, mundimet,
gëzimet, miqësitë, shoqëria dhe vizitat, duke ndarë me lexuesin momente të ndryshme të
përvojës së tij jetësore. Këtu mund të kujtojmë thënien e njohur të Gabriel García Márquez-it
se “Jeta nuk është ajo që ke jetuar, është ajo që të kujtohet dhe ashtu siç të kujtohet për ta
rrëfyer”. Në këtë vepër, Palushaj ndan me lexuesin pikërisht një pjesë të asaj jete që ka
mbetur e skalitur në kujtesën e tij.
Ajo që bie në sy është se, edhe kur shkruan për përvojën e vet, autori nuk shkëputet
nga bota e njerëzve të tij. Kujtimet personale ndërthuren me kujtesën familjare, shoqërore dhe
krahinore. Kështu, historia e një jete bëhet njëkohësisht edhe dëshmi e një kohe dhe e një
mjedisi. Kjo është një veçori që e lidh krijimtarinë e tij me një traditë më të gjerë të letërsisë
shqiptare në diasporë. Shumë shkrimtarë shqiptarë, të vendosur larg atdheut, e kanë parë
letërsinë si një mënyrë për të ruajtur gjuhën, për të përcjellë kujtesën historike dhe për të
mbajtur gjallë lidhjen e brezave me origjinën e tyre.
Dhe këtu duhet përmendur edhe një veçori tjetër e autorit: këmbëngulja për të shkruar.
Edhe tani që i ka kaluar të tetëdhjetat, Lulashi vazhdon të shkruajë dhe të botojë. Ai nuk
ndalet lehtë, as në udhëtimet e tij nga një kontinent në tjetrin, nga një shtet në tjetrin e nga një
qytet shqiptar në tjetrin, as në punën krijuese. Sa herë që kalon Oqeanin dhe vjen në
Shqipërinë nanë, duket sikur sjell me vete edhe një libër të ri, një tjetër shpalosje të
mendimeve dhe shqetësimeve të tij. Kjo vijimësi krijuese, në një moshë kur shumëkush do të
kishte zgjedhur të pushonte, dëshmon për një nevojë të brendshme për të shkruar dhe për të
komunikuar me lexuesin.
Stili i tij mund të jetë herë-herë i vështirë për redaktorin që merr përsipër të punojë me
tekstet e tij. Por kjo nuk e zbeh një meritë të rëndësishme: shkrimtaria e Palushajt i bën nder
gjuhës shqipe, sepse ruan mënyrën e të folurit të vatrave të dikurshme malësore, një pasuri që
dalëngadalë po braktiset. Ajo gjuhë, me fjalët, shprehjet dhe ngjyrimet e veta, gjendet e
skalitur në librat e tij dhe, në këtë mënyrë, fiton një jetë të mëtejshme përtej kujtesës së atyre
që e kanë folur.
Një pjesë e veprave të tij, si Malësorja e bjeshkëve tona dhe Nusja me duvak të
bardhë, kanë edhe ngarkesa të dukshme etnologjike e etnografike. Në to ruhen mënyra jetese,
zakone, marrëdhënie shoqërore, veshje, rite dhe përfytyrime të botës malësore, të cilat mund
të jenë me interes jo vetëm për lexuesin e letërsisë, por edhe për studiuesit e këtyre fushave.
Në këtë pikë mund të hiqen paralele tematike edhe me vepra të tjera të letërsisë sonë, si
Bardha e Temalit e Pashko Vasës, për nga prania e mjedisit, zakoneve dhe marrëdhënieve
shoqërore të kohës. Natyrisht, një krahasim i tillë kërkon analizë të veçantë dhe nuk
nënkupton barazim të veprave për nga vlera apo ndërtimi artistik.
Një vepër në disa drejtime, një shqetësim në themel
6
Duke parë tërësinë e krijimtarisë së Lulash Palushajt, mund të dallojmë disa fusha ku
ai ka dhënë ndihmesën e vet: letërsinë, publicistikën, studimin etnografik, dokumentimin e
gjuhës, gjenealogjinë dhe trajtimin e çështjeve historike e kombëtare. Kjo shumëllojshmëri
nuk është e rastësishme. Ajo buron nga një shqetësim i përbashkët që përshkon pjesën më të
madhe të veprës së tij: ruajtja e asaj që përbën identitetin e një populli.
Në këtë kuptim, poezia, romani, eseja, refleksioni historik, kujtimet dhe fjalori i
Malësisë nuk janë fusha krejtësisht të shkëputura. Ato plotësojnë njëra-tjetrën dhe dëshmojnë
për një autor që kërkon ta shprehë të njëjtin shqetësim përmes formave të ndryshme të
shkrimit.
Natyrisht, një vlerësim i plotë kritik i kësaj krijimtarie kërkon punë më të thelluar, duke u
ndalur drejtpërdrejt dhe më gjatë te secila vepër, duke analizuar strukturën e saj, personazhet,
gjuhën dhe mjetet artistike. Nuk mjafton vetëm të renditen titujt dhe temat për të përcaktuar
vlerën letrare të një autori. Por edhe nga profili i tij krijues dhe nga drejtimet e ndryshme të
veprimtarisë mund të kuptohet se Palushaj ka ndërtuar një opus me një bosht të dallueshëm
identitar e kulturor.








