Kolanës së pasur të veprave të autorit Lulash Palushaj, i shtohet një libër i ri, që sjell thellësinë
e këndvështrimeve të këtij shkrimtari tashmë me rrezatim kombëtar. Kjo vepër me një
strukturë integrale ngërthen brenda vetes variacione të ndryshme shkrimore dhe procedime
mjaft të larmishme. Pavarësisht se baza e saj është letërsia eseistike, tregues i stadeve të larta
meditative dhe i pjekurisë artistike e filozofike të autorit, kompozicioni i saj ka të përfshirë
elementë rilevantë të letërsisë artistike, duke pasur personazhe, dialogje, metanarrativë e,
sidomos, digresione, aq karakteristike për zhanrin eseistik. Kjo vepër nuk vjen me ritmin e
matur e të ngadaltë, që është tipik për gjini të tilla, në të cilat mbizotëron shtjellimi prudent,
gradual i transmetimit në rritje të kumteve filozofike, etnike, psikologjike, por më tepër vjen si
një shpërthim, që ndodh që në titull: KA VOJTE, O MALËSI E MADHE, KA VETE, O
SHQIPTAR?
Kjo pyetje apostolike si ajo që Shën Pjetri i bën Jezusit “Quo vadis” dhe Jezusi i përgjigjet:
“Romam, ut iterum crucifigar”(Në Romë, për t’u kryqëzuar përsëri”), është një frazë
arketipale që autori ynë Lulash Nikë Palushaj, e lëshon si një klithmë drejtuar kombit të vet, si
një sinjal SOS ndaj ruajtjes së etnisë, gjuhës, dokeve, zakoneve, traditave dhe gjithë arsenalit
shpirtëror të Malësisë së Madhe, kësaj njësie etno- kulturore që përbën një nga kampionet më
të qëndrueshëm, të qartë e persistentë të të gjithë shqiptarisë. Si në asnjë vepër tjetër para
kësaj, fryma emocionale dhe nervi artistik i shkrimtarit janë në një intensitet të lartë. Çdo gjë
është e drejtpërdrejtë, e prekshme, konkrete- duke filluar nga partitura gjuhësore, që është e
folura e nëndialektit të gegnishtes ekstreme veri- perëndimore, me leksik të veçantë, të pasur e
krejt autentik, me variacionet fonetike futur brenda paradigmave të njohura dhe të trajtuara
edhe më parë në punimet leksikografike të autorit Lulash Palushaj, sidomos tek libri i vyer
“Fjalë Malësie”. Dhe ky përdorim është pothuajse i detyrueshëm dhe krejt i përligjur, pasi në
asnjë tjetër regjistër gjuhësor nuk do të transmetohej pesha e verbit artistik dhe kulminacionet
e intensitetit emocional si në këtë mënyrë.
Fusha e etno- kulturës është një truall tashmë i njohur e mjaft i rrahur nga autori edhe në disa
vepra të tjera para kësaj, por në këtë libër qëllimi është më i gjerë. Fryma e patriotizmit dhe
zgjimi i ndjesive kombëtare bëhen kryefjala e krejt veprës dhe vetë titulli, si një lamentacion
kozmik, duke u përsëritur shpesh, kthehet në një lajtmotiv me efekte të mëdha dhe të
shumanshme për çdo individ. Kjo është jo vetëm klithma e një intelektuali patriot, por kthehet
në një rezonancë kumbuese për brendësinë e çdo shpirti që ka përkatësinë etnike shqiptare.
Autori ka udhëtuar në shtëpitë që po braktisen, ka takuar njerëzit që po ndahen nga njëri- tjetri,
ka parë fshatra- fantazmë, të shkretuar nga ikja e një eksodi biblik, ka ndeshur pleq të
pamundur e fëmijë, nëna të përmalluara e burra me barrën e familjeve mbi supe.
Duke ndjekur copa të dëshpëruara bisedash nga personazhe fiktivë, transmetues idesh, bartës
zhgënjimesh e reminishencash të dikurshme, sjellë në të tashmen e hidhur, autori plotëson
kuadrin e një sfondi apokaliptik që po i ndodh shqiptarit, metonimikisht Malësisë së Madhe.
Në çaste si këto grimcohen e rroposen hijet e zbehta të gëzimeve të dikurshme. Gjithçka i
ngjan një anijembytjeje, një situate ku pështjellimi ka vendosur rregullin e vet. Por natyrisht,
jeta ka vazhdimet e veta, brezat ecin nëpër horizontet e reja, të rinjtë e gjejnë veten brenda
hapësirave dhe realiteteve të tjera. Megjithatë kumtet e kësaj vepre janë shumë fisnike,
patriotike, humane dhe sidomos etno- kulturore. Stili i autorit është mjaft origjinal dhe elegant,
falë alternimit të regjistrave shkrimorë, falë përdorimit të retrospektivës, mjaft dendur dhe
sidomos falë digresioneve të shumta që kthehen në limane të begatshme refleksionesh.
Përfundimisht kjo vepër përbën një pasurim të rëndësishëm jo vetëm të gjerdanit letrar të
autorit, por të krejt letërsisë sonë.
Zija Vukaj









